Gjermania e prerë: Jemi kundër ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës!

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të bëra nga Edi Rama.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social Facebok, ambasadorit Peter Zingraf shpreh keqardhjen për këtë hap të Ramës dhe sipas tij, marrëveshja e 5 qershorit po merr tipare konfliktuale.

Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf

Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.

Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.

Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit.

Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.

Artikulli paraprakKryemadhi: Sot më shumë se kurrë Edi Rama i hapi gropën vetes…
Artikulli tjetërPaloka i përgjigjet Ramës: Ule pak dozën, duke nxitur konfliktin nuk i shpëton burgut ku të presin Avdylajt