Zjarret në vend/ Dom Gjergj Meta: Do ta paguajmë shtrenjtë indiferencën tonë

Vatra të shumta zjarresh kanë përfshirë zonat të ndryshme në të gjithë vendin si në Tropojë, Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Fier.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Dom Gjergj Meta, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për indiferencën institucionale dhe mediatike.

“Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjt këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujrat që devijuam, me mijra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambjentit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere”, shkruan Dom Gjergji.

Postimi i plotë Dom Gjergjit

DHEMBJE DHE ZEMËRIM …

Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumëllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.

Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzjehet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qenie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.

Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.

Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën, e cila po digjet.

Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjtë këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujërat që devijuam, me mijëra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambientit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.

Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjtë…

Artikulli paraprakKyçin dyert e shkollave dhe detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin…
Artikulli tjetërManastirliu tregon cilat janë kategoritë që do të vaksinohen falas për gripin