Çfarë po hetohet në këto 9 muaj të vitit 2016 në Prokurorinë shqiptare dhe cila është dosja që ka sjellë kërcënimin e drejtpërdrejt dhe me jetë të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla?
Kjo përgjigje ende mungon si nga vetë prokurori Llalla dhe nga institucionet që po hetojnë mbi këtë situatë të krijuar nga muaji korrik 2016 e deri ditët e para të shtatorit ku familja Llalla, bashkëshortja dhe dy fëmijët kanë lënë Shqipërinë.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga publikimi i lajmit në media për kërcënimin e kryeprokurorit, nuk ka patur asnjë reagim nga kryeministri i vendit. Rama hesht për këtë ngjarje të rëndë, po ashtu edhe Tahiri. Rama hesht sepse pas këtij kërcënimi qëndrojnë bandat që ai mbështet. Jo vetëm Rama dhe Tahiri, por asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk ka reaguar për këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik. Kërcënimi me jetë i kryeprokurorit dhe familjes së tij ka ardhur vetëm pak ditë, pasi në mediat proqeverisë u publikuan shkrime denigruese ndaj Llallës dhe familjes së tij.
“Report Tv” sjell një vëzhgim të njoftimeve zyrtare të vetë Prokurorisë ku rezulton se, dosjet e këtij 9 mujori janë nga Sekuestro pronash në miliona euro dhe deri në hetim pasurish për zyrtarë të lartë.
Më 6 janar 2016 Prokuroria njofton se ka vënë nën hetim biznesmenin Rezar Taçi me akuzën e mos pagimit të taksave.
Më 30 janar me urdhër të Prokurorisë vihet në pranga ish-ministri i Punës në qeverinë Berisha, Spiro Ksera, tashmë i dënuar me vendim gjykate.
Në ditën e parë të muajit shkurt, në pranga vendoset me kërkesë të Prokurorisë kreu i Hipotekës Shkodërs dhe Drejtori Rajonal i Shëndetit Publik në Devoll.
Pak ditë më pas më 7 shkurt Prokuroria vë nën sekuestro një pasuri miliona euroshe në bregdetin e Velipojës, plot 9 pallate dhe administrator i kësaj pasurie rezulton biznesmeni Sait Fishta.
Më 13 shkurt Prokuroria përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona mes tyre dhe Admir Tafilin të konsideruar kreu i organizatës kriminale të vrasjeve me pagesë.
17 shkurt do të sekuestroheshin me kërkesë të Prokurorisë 75 ha truall në Kavajë dhe këtë ditë vetë Llalla do të ishte i pranishëm në Kavajë, duke kërkuar hetimin e çdo dosje pronësie, mbi të cilën kishte dyshime për falsifikim. Një ditë më pas në kryeqytet më 18 shkurt do të ndalohej drejtori i Tatimeve të kryeqytetit, Androkli Kokthi, tashmë i lirë.
Më 9 mars një hotel me vlerë miliona euro sekuestrohet në Vlorë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas një hetimi të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Prilli do të ishte muaji që do të lidhte firmën e prokurorit me grupet terroriste, më 5 prill, ai do të aprovonte kërkesën e vartësve për të dënuar me 152 vite burgim rekrutuesit e xhihadistëve apo njohur ndryshe si imamët e vetëshpallur.
Dy ditë më pas, më 7 prill në Gjykatë do të përfundonte dosja “Xibraka”, hetime të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me laboratorin e kokainës zbuluar në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e partnerët gjermanë në janar të 2015.
Më 8 prill 2016, Prokuroria i kërkon gjykatës konfiskimin e pasurisë prej 3.2 milionë USD dhe 450 mijë euro, pasuri të Kastriot Ismailit, ish-administratorit të borxheve të CEZ nën hetim e gjykim për mashtrim dhe vjedhje me pasoja të mëdhaja.
Më 18 prill, Prokuroria e Krimeve të Rënda pas një takimi të Prokurorit të Përgjithshëm me vartësit e tij dhe drejtorin e Policisë, Haki Çako urdhëron ndalimin e Emiliano Shullazit. Shullazi prej asaj dite qëndron nën arrest, ndërsa Prokuroria e ka nën hetim për dyshime në lidhje me gjobvënie, kërcënime dhe shantazhe përfshi dhe atë ndaj dy profesorëve, Dhori Kule e Mynyr Koni.
Një ditë më pas, akuza e Durrësit vë nën sekuestro ish-Hotel “Vollgën” në Durrës, objekt në pronësi të Shullazit, të cilën ai e kishte fituar me kontratë trashëgimie të firmosur para noterit.
Më 31 maj Prokuroria sekuestron në Vlorë pronë të paluajtshme në vlerën e 100 milionë eurove, plot 220 ha truall në Karaburun.
Më 1 qershor, në hetim për falsifikim dokumentesh vihet kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, hetim i cili nis pak orë pas takimit të kryeprokurorit Llalla me kreun e KQZ, Lefteri Lleshi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Pak ditë më pas, më 13 qershor Prokuroria kërkon arrest me burg për Roshin, por Gjykata e rrëzon këtë kërkesë duke detyruar hetim në gjendje të lirë.
Gjatë qershorit, listës së sekuestrove i shtohet sërish prona në Vlorë dhe këtë herë arrihet në vlerën e 200 milionë eurove, përfshi troje dhe hotele të përfituara me falsifikim dhe burim parash nga droga e prostitucioni.
Më 27 qershor me firmë të vartësve të tij, Kryeprokurori Llalla miraton pretencën me 175 vite burg për bandën e babagjyshëve, banda e drejtuar nga i dyshuari Ilir Kupa që nën kërcënimin e armëve grabisnin argjendari e biznese shërbimi.
Më 18 korrik Prokuroria vë nën hetim gjyqtaren e lartë, Majlinda Andrea dhe kërkon pezullimin e saj nga detyra.
Më 23 gusht Prokuroria e Përgjithshme njofton se Krimet e Rënda sekuestrojnë pasurinë e ish-deputetit Kristiandemokrat, Mark Frroku, i cili është nën akuza për vrasje, pastrim parash e ndërtim të paligjshëm.
Kërcënimi i kryeprokurorit, Berisha: Shqiptarët të ngrihen kundër organizatës kriminale
Ish-kryeministri Berisha ka denoncuar ashpër dje kërcënimin ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla ndërsa e ka cilësuar kërcënimin si vepër të “lejtnantëve të Al Kapones”. Përmes një reagimi në Facebook, Berisha thekson se, kryeprokurori është kërcënuar nga të burgosur që vizitohen çdo ditë nga ministra apo deputetë, duke shtuar se shpresonte që të zbulohej sa më parë autori dhe të vihet përpara ligjit.
“Mediat njoftojnë se Prokurori i Përgjithshëm i vendit është kërcënuar nga bajlozë të krimit, të burgosur, të dënuar apo që presin të dënohen, por që vizitohen pothuaj çdo ditë nga ministra deputete, neobllokmenë dhe trafikantë në qelitë e tyre. Hetimi urojmë të gjejë sa më parë autorin e këtij akti të rëndë dhe të pashembullt dhe ta vendosi para ligjit. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal, dëshmi e pasigurisë ekstreme në këtë vend dhe revanshit kulmor të krimit të lidhur me qeverinë, shpreh solidaritetin tim të thellë me Prokurorin e Përgjithshëm dhe institucionin që ai drejton në luftën kundër krimit si dhe bindjen më të thellë se prapa falangave të krimit që kanë kryer këtë akt të pashembullt, qëndron mbështetja direkte e kreut të meduzës të krimit të organizuar apo Al Kapones në krye të qeverisë”, thekson Berisha.
“Vetëm lejtnantët e tij, pra bajlozët e krimit të veshur me pushtetin kryeministror si Dritan Dajti apo Mili ose Mali i partisë, Genti i Olsit dhe Hakmarrjes, mund të ndërmarrin vet apo me porosi të tij kërcënimin me jetë të kreut të akuzës së shtetit. Ky akt tregon se cila është sot në Shqipëri shkalla e pasigurisë për qytetarin e thjeshtë shqiptar! Por mbi të gjitha ky akt është një këmbanë alarmi, një thirrje për çdo qytetar të këtij vendi që të ngrihet në lartësinë e guximit kundër organizatës kriminale më të rrezikshme në Europë, qeverisë së Al Kapones”, shkruan Berisha në reagimin e tij.