Në krahasim me fundin e vitit 2015, ndërmarrjet e vogla dhe më pak ato të mesme, vlerësojnë ulje të nivelit të shitjeve dhe të rezultatit financiar, ndërsa ndërmarrjet e mëdha vlerësojnë përmirësim të tyre. Këtë tendencë e ka dhënë Banka e Shqipërisë në një analizë mbi rezultatet e “Vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve”.
Për pasojë, ndërmarrjet e vogla e kanë tkurrur veprimtarinë e tyre, ndërkohë që ato të mesme kanë vijuar zgjerimin e aktivitetit të tyre, pavarësisht rënies së shitjeve. Ndërsa ndërmarrjet e mëdha shënojnë zgjerim të ndjeshëm të veprimtarisë.
Për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016, të gjitha ndërmarrjet presin një zgjerim të veprimtarisë së tyre dhe ecuri pozitive për nivelin e shitjeve të përgjithshme dhe të rezultatit financiar.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2016-s, më tepër se gjysma e ndërmarrjeve të përgjigjura kanë financuar veprimtarinë e tyre vetëm përmes shitjeve, pavarësisht ndarjes sipas madhësisë. Vetëm nga shitjet, janë financuar përkatësisht 56.7% e ndërmarrjeve të vogla, 56% e atyre të mesme dhe 56.5% e atyre të mëdha.
Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 29.8% e ndërmarrjeve të mëdha, 27.2% e ndërmarrjeve të mesme dhe 23.3% e ndërmarrjeve të vogla.
Ndërmarrjet deklarojnë se i janë drejtuar kryesisht sektorit bankar si burim huamarrjeje. Përkatësisht, 92.2% e ndërmarrjeve të vogla, 92.7% e atyre të mesme dhe 96.1% e atyre të mëdha e kanë përfituar huanë e tyre vetëm nga bankat, ndërkohë që pjesa tjetër kanë kombinuar një tërësi burimesh financimi.
Huamarrja e ndërmarrjeve ka si qëllim kryesor përballimin e shpenzimeve korrente (48.5% e ndërmarrjeve të vogla, 38.1% e atyre të mesme dhe 40.9% e atyre të mëdha), si dhe kryerjen e një investimi afatgjatë (34.8% e ndërmarrjeve të vogla, 36.5% e atyre të mesme dhe 38.5% e ndërmarrjeve të mëdha).
Për 76.9% të ndërmarrjeve të vogla, 67.2% të ndërmarrjeve të mesme dhe 82.8% të ndërmarrjeve të mëdha, pagesa e huasë ndaj totalit të të ardhurave arrin deri në 20% të të ardhurave. Për të gjitha ndërmarrjet, ngarkesa në borxh vlerësohet kryesisht disi më e lartë se “ngarkesa mesatare”. Procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë” nga të gjitha ndërmarrjet.