Magazina e drogës në Ishëm ruhej nga persona të armatosur

Prokuroria ka arritur të gjejë prova dhe fakte të reja, të cilat faktojnë se, ndërtesa në Ishëm ishte një magazinë e mirëfilltë, e cila mblidhte të gjithë hashashin e zonës. Ka dyshime se ajo përdorej nga një grup kriminal, i cili është mjaft aktiv. Burime të rezervuara nga grupi hetimor sqarojnë se, magazina e drogës ruhej nga persona të armatosur dhe me maska gjatë gjithë kohës.
Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Julian Damën dhe Altin Lleshin, të arrestuar si të dyshuar se kanë lidhje me magazinën e kanabisit, gjetur në Ishëm të Durrësit, disa ditë më parë. Fillimisht, këta persona u hetuan në gjendje të lirë, por Prokuroria ka kërkuar ndalimin e tyre pas dyshimeve se ata ishin të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Në këtë banesë, policia arriti të sekuestrojë 300 kg kanabis e gatshme për t’u hedhur në treg. Në vilë policia gjeti edhe 9 punëtorë, të cilët bënin ndarjen e hashashit nga gjethet. Për këtë punë, ata paguheshin 1500 lekë të reja në ditë. Aty nuk lejohej të futej askush përveç punëtorëve. Ata janë marrë në pyetje nga hetuesit, por nuk kanë mundur të identifikojnë asnjë person. Banesa është rreth 1 kilometër larg pistës, ku u ul avioni i pilotit italian Guido Guidi. Grupi hetimor është duke kryer veprime për të parë nëse kjo magazinë ka lidhje me pilotin italian.
Për zonën e Ishmit në polici dhe Prokurori ka një numër të latë procedimesh për mbjellje dhe kultivim kanabisi dhe kjo është koha kur lënda narkotike bëhet gati për t’u shitur. Banesa është në pronësi të Besmir Agasit, 47 vjeç, banor i fshatit Kërtushaj, i cili është shpallur në kërkim.

Artikulli paraprakKoncesioni i impiantit të Fierit, 3.7 miliardë lekë për tretjen e 180 mijë tonë plehra në ditë
Artikulli tjetërKapet me kokainë vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë Dibër