Pas tri ndeshjeve si titullar, ku shijoi edhe fitoren e parë me Atalantën në Serinë A, Etrit Berisha ka fituar statusin e titullarit në radhët e ekipit zikaltër. Kjo u konfirmua nga trajneri Gasperini, menjëherë pas fitores 3-1 që bergamaskët regjistruan ndaj Krotones, që për momentin e shpëtoi drejtuesin e stolit nga shkarkimi.
“Kemi portierë të aftë në rolin e zëvendësuesve dhe për momentin të gjithë duhet të kenë hapësirat që meritojnë. Megjithatë, në portë luan vetëm një portier dhe për momentin, titullar është Berisha. Sezoni është i gjatë dhe Sportiello mund të kthehet në formacion”, tha Gasperini.
Deklarata e trajnerit të Atalantës konfirmoi se gardiani kuqezi fitoi duelin me portierin e talentuar italian, që duhej të kishte gjetur një skuadër të re gjatë merkatos së verës.
Në ndeshjet e para të Serisë A, menjëherë pas huazimit nga Lazio, Berisha vuajti të gjente hapësira, por shkëlqeu në ndeshjen e përpara tri javëve me Cagliarin. Në debutimin me Atalantën, Berisha pësoi tri rrjeta, por evitoi të paktën edhe katër gola të tjerë, duke konfirmuar aftësitë e tij në portë dhe shumë shpejt u kthye në garanci për skuadrën e re.