Alardajs pranë shkarkimit nga Anglia

Trajneri aktual i kombëtares së Anglisë, Sem Alardajs, me shumë mundësi do të futet në historinë e kombëtares së “3 luanëve” si trajneri më “jetëshkurtër”. Ai rrezikon seriozisht shkarkimin nga detyra pas vetëm 1 ndeshjeje të zhvilluar, dhe kjo jo në lidhje me punën në krye të kombëtares, por në lidhje me një skandal të zbuluar nga “Daily Telegraph”.
Alardajs u filmua në mënyrë të fshehtë teksa zhvillonte një takim me një biznesmen nga Lindja e Largët dhe negocionte me të një marrëveshje prej 400 mijë paundësh në këmbim të këshillave se si të manovrohej me rregullat e transferimeve të Federatës Angleze.
Gjithashtu, gjatë bisedës me biznesmenin, Alardajs nuk ka kursyer kritikat ndaj drejtuesve të Federatës. Ai e ka cilësuar si budallallëk rinovimin e stadiumit “Uembli”, i cili kushtoi 870 milionë paund dhe e futi Federatën në një borxh tepër të madh që akoma vazhdon të paguhet. Sipas tij, ndërtimi i një stadiumi të ri nga e para do të kushtonte vetëm 400 milionë.
Federata Angleze e Futbollit ka bërë me dije se, janë duke e analizuar këtë skandal dhe do të marrin shumë shpejt një vendim, por gjasat janë që “Semi i Madh”, siç quhet ndryshe në Angli, të mos i shpëtojë dot shkarkimit nga detyra.
Ndërkohë, Barcelona është rikthyer në fushë, këtë herë për foton zyrtare të sezonit. Skuadra e parë ku përfshihet edhe stafi drejtues, zbriti në fushën stërvitore “Tito Vilanova” bashkë me stafin, duke zgjedhur një mënyrë origjinale për të treguar se ky është një klub i bashkuar. Të gjithë përpara aparatit fotografik, edhe ata që gjatë gjithë vitit punojnë prapa kuintave. Lionel Mesi u shfaq në mesin e grupit, pavarësisht faktit se i duhet të qëndrojë pushim absolut për t’u rikuperuar sa më shpejt.
26 pjesëtarë të stafit iu bashkuan lojtarëve dhe trajnerit Luis Enrique. Xhevahirët e fotos zyrtare ishin dy trofetë e fituar sezonin e shkuar, La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës. Pamjet ekskluzive u publikuan në faqen zyrtare të klubit në Youtube. Një gjest i rrallë për futbollin modern edhe pse Barcelona nuk e ka fshehur asnjëherë se ndjek një filozofi ndryshe nga pjesa më e madhe e klubeve europiane. “Më shumë se një klub” është logoja zyrtare e katalanasve që kërkojnë të vënë theksin se Barcelona është një familje e madhe dhe sukseset në fushë nuk u dedikohen vetëm lojtarëve, por gjithë puonjësve që japin kontributin e tyre për një prej simboleve më përfaqësues të Katalonjës, Spanjës dhe futbollit botëror.

Artikulli paraprakMilani, i diskriminuar
Artikulli tjetërTë vërtetat dhe gënjeshtrat e debatit mes Trump-Clinton