Vëzhguesit: Blerje e votave dhe kërcënime ndaj votuesve në Dibër

Blerja e votës dhe presioni i ushtruar ndaj zgjedhësve minoi procesin e zgjedhjeve në Dibër duke i shndërruar ato në zgjedhje jo demokratike. Ky është konstatimi i Koalicionit të Vëzhguesve Vendor, i cili publikoi dje raportin e monitorimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetarin e ri të Bashkisë së Dibrës. Nga monitorimi në terren i procesit, Komisioni evidenton mjaft probleme, të cilat në raport thuhet se cenuan cilësinë duke mos garantuar standarde zgjedhore demokratike dhe evropiane. Koalicioni ngre shqetësimin e blerjes së votës dhe presionit ndaj zgjedhësve, ndërsa thotë se reagimi institucional ishte tejet i ulët, për t’i dhënë zgjidhje problemeve. “Në trajektoren rritëse të akuzave për forma të drejtimit dhe të blerjes së votës, ku janë përfshirë procese zgjedhore në vend ishte dhe procesi zgjedhor i Bashkisë Dibër. Reagimi institucional nga KQZ si mbikëqyrës i procesit zgjedhor, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit si organe hetimi ishin tejet të ulët. Qëndrimet publike të këtyre institucioneve munguan dhe investimi i tyre ka qenë minimal”, u shprehën përfaqësuesit e KVV gjatë prezantimit të raportit. Përballë këtyre shqetësimeve, Koalicioni i Vëzhguesve Vendor, ofron 9 rekomandime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ngritja e  një strukture pranë Prokurorisë për trajtimin e  rasteve të korrupsionit zgjedhor qëndron në thelb të shqetësimit që duhet t’i jepet zgjidhje. Gjithashtu koalicioni rekomandon që t’i hiqet e drejta zyrtarëve dhe funksionarëve shtetërorë të marrin role drejtuese në veprimtaritë e fushatave zgjedhore sidomos kur ato i përkasin zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Sipas raportit, ky proces zgjedhor, përpos problematikave të vërejtura edhe në proceset periodike, mbarti edhe zhvillime dhe problematika të llojit të veçantë. Më e para prej problematikave është mosrregullimi ligjor i mbarëvajtjes së zgjedhjeve të pjesshme nga Kodi Zgjedhor, përpos përcaktimit të disa afateve proceduriale.  Kuadri ligjor nuk cakton rregullime për kontrollimin e: financave të subjekteve zgjedhore; monitorimit të sjelljes së mediave;  mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore e të tjera çështje pjesë e një procesi zgjedhor. Mangësi këto që i bëjnë zgjedhjet e pjesshme një proces ku mungojnë disa nga standardet ligjore kryesore, mbi bazën e të cilave sigurohet mbarëvajtja e procesit, si dhe mundësohet vlerësimi i ecurisë së tij.

Rekomandime për praktikat dhe sjelljet e mira elektorale

Duke qenë se ecuria e Reformës Zgjedhore është e paqartë deri më tani dhe mund të priten procese zgjedhore të tjera për zgjedhje të pjesshme, bëhet i domosdoshëm një manifestim etik prej personaliteteve politike. Më poshtë paraqiten disa rekomandime në frymën e praktikave dhe sjelljeve të mira elektorale: Është i domosdoshëm qëndrimi i matur i lidershipeve politike gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore për funksionarë të njësive vendore pa i eklipsuar këta të fundit. Është domosdoshmëri që ligjërimi politik të jetë sa më konstruktiv si dhe mos të përdorë terma fyes apo të shfaqë nota të gjuhës së urrejtjes. Kandidatët garues për funksionarë të njësive vendore duhet të përgatisin dhe paraqesin një platformë elektorale të qartë dhe të argumentuar, pa mbështetur kandidaturën e tyre në mbështetjen politike të qeverisjes qendrore. Drejtuesit e institucioneve, sidomos të atyre të përfshirë në proceset zgjedhore, duhet të tregojnë vëmendje maksimale në përmbushjen e detyrimeve ligjore në bërjen e transparencës si dhe në përmbushje të së drejtës së informimit. Zyrtarët dhe funksionarët shtetërorë nuk duhet të marrin asnjë rol drejtues apo të jenë pjesëmarrës në veprimtaritë e fushatave zgjedhore, sidomos kur ato i përkasin zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Titullarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit duhet të koordinohen dhe të angazhohen, duke u investuar ndaj çdo akuze apo indicie për forma të drejtimit apo blerjes së votës.

Institucionet përkatëse lejuan blerjen e votës

Në trajektoren rritëse të akuzave për forma të drejtimit dhe të blerjes së votës, ku janë përfshirë proceset zgjedhore në vend, ishte dhe procesi zgjedhor i Bashkisë Dibër. Reagimi institucional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si mbikëqyrës i procesit zgjedhor, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit si organe të hetimit, ishin tejet të ulët. Qëndrimet publike të këtyre institucioneve munguan dhe, përsa u arrit të bëhej e ditur, investimi i tyre ka qenë minimal. Institucionet përgjegjëse qëndruan pasive, jo efektive në kohë dhe jo në lartësinë e përgjegjësive që mbartin. Çka bëri që kjo përvojë ta thellojë instrumentalizimin e akuzës si mjet të ligjërimit politik dhe jo si mekanizëm hetues të sistemit të drejtësisë. Thënë të gjitha këto, KVV thekson se, sistemi demokratik nuk mund të thjeshtëzohet në një proces elektoral, si dhe një proces elektoral nuk mund të thjeshtëzohet në një proces numërimi fletësh votimi.  Përpos aspiratave të një vendi demokratik, tradita e deri më sotme ka qenë më së shumti një përpjekje për të tejkaluar së qeni një proces numërimi fletësh votimi. Sfida më e madhe elektorale në 20 vite ka qëndruar tek arritja e një menaxhimi të mirë të procesit zgjedhor, ndërsa shtyllat e tjera kryesore të procesit zgjedhor si: financat e partive politike; drejtësia zgjedhore; sigurimi i transparencës së procesit; ngritja e diskursit politik në argumente dhe dëgjesa ndaj zërit qytetar, janë vlerësuar si dytësore. Procesi zgjedhor në Bashkinë Dibër pikënisi nga një rast shpërdorimi detyre nga Kryetari i Bashkisë. Përsa u vëzhgua dhe evidentohet hollësisht në raport, në gjykimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, natyra e pikënisjes së këtij procesi zgjedhor rezultoi të ishte natyrë e vetë procesit zgjedhor. Zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër ishin një proces zgjedhor i radhës, por nuk ishin pjesë e një përvoje të standardeve dhe aspiratave demokratike të një niveli të tillë që qytetarët shqiptarë meritojnë, apo që stadi aktual i aspiratave integruese dhe ndërtimit të shtetit ligjor kërkojnë.

Zgjedhjet e Dibrës, test në miniaturë për zgjedhjet e 2017

Procesi zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Dibër mund të shihet edhe si një test në miniaturë për zhvillimin e procesit zgjedhor të vitit 2017, si dhe si një rikujtesë për vëmendje ndaj Reformës Zgjedhore, për problematikat që mbartin zgjedhjet në vend.  Ky proces, në rezultanten e tij testoi dhe rikujtoi gjendjen e zbatueshmërisë së ligjit dhe të procedurave nga administrata publike.  Standard i munguar ishte mungesa e transparencës që vetë kuadri ligjor garanton. Mungesë transparence në mospublikimin e akteve në disa raste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo nga Këshilli Bashkiak Dibër; moszbardhja e vendimeve prej Kolegjit Zgjedhor apo prej Gjykatës Kushtetuese; si dhe rasti i pengimit apo zvarritjes ndaj kërkesave të vëzhguesve, çka kufizoi mundësinë për vëzhgim efektiv të të gjithë aspekteve të përgatitjes dhe zhvillimit të procesit zgjedhor. Të tëra këto vijnë në vazhdën e një tradite institucionale që sa vjen e agravohet pa një adresim real të saj. Kësisoj sigurimi rigoroz i transparencës dhe i rezervimit të së drejtës së informimit duhet të jenë parakushti në konceptimin e çdo amendimi ligjor gjatë Reformës Zgjedhore apo edhe në organizimin e procesit zgjedhor të vitit 2017. Çdo hap procedural, që nga pikënisja e tij në vendimmarrjen legjislative dhe duke vazhduar në zbatimin e legjislacionit prej institucioneve, duhet të sigurojë transparencë reale dhe lehtësi aksesimi apo marrje informacioni.

Ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për parandalimin e blerjes së votës

(Rekomandime specifikisht për Zgjedhjet e Pjesshme)
Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt specifikisht proceset zgjedhore të zhvilluara në rastin e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme:
1. Amendimi i Kodit Zgjedhor për përcaktimin e afateve proceduriale të organizimit të procesit zgjedhor në rastet e zgjedhjeve të pjesshme dhe të parakohshme.
2. Amendimi i Kodit Zgjedhor në rregullim të: financave të subjekteve zgjedhore, monitorimit të mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore, njoftimit me shkrim të zgjedhësve dhe çështjeve të tjera zgjedhore në rastet e zgjedhjeve të pjesshme dhe të parakohshme.
3.  Amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” për kompetencat dhe tagrat ligjorë të Kryetarëve të Bashkisë të përzgjedhur nga Këshilli Bashkiak në rastin e vakancave të parakohshme.
Rekomandime për proceset zgjedhore në tërësi
Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt tërë proceset zgjedhore të zhvilluara, qofshin të pjesshme, të parakohshme, periodike për qeverisjen vendore ose qendrore:
1. Amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” në sigurimin e transparencës së veprimtarisë financiare të administratës së njësisë vendore dhe lehtësimin e marrjes së informacionit të detajuar nga publiku dhe organizatat monitoruese.
2. Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të përcaktimit të një periudhe “ngrirje” apo të reduktuar të aktivitet financiar të administratës së njësive vendore në prag të proceseve zgjedhore, me qëllim kufizimin e rasteve të përdorimit të kapaciteteve financiare të administratës publike në forma të drejtimit dhe blerjes së votës.
3. Strukturalizimi i një procesi ligjor komunikimi midis institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.
Ky kanal komunikimi procedural duhet të adresohet në Kodin Zgjedhor si një instrument i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe penalizimin e formave të korrupsionit zgjedhor.
4.  Sugjerohet ngritja e një strukture të specializuar si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme me objekt: “hetimin dhe ndjekjen e formave të korrupsionit zgjedhor”.
5. Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të ripërcaktimit të rolit të vëzhguesve të pavarur në të drejtat që gëzojnë në procesin zgjedhor, me qëllim saktësimin e plotë ligjor të të drejtave të tyre për praninë përgjatë procesit dhe marrjen e dokumentacionit apo materialeve zgjedhore.
6.  Saktësimi rigoroz dhe pa ekuivok në Kodin Zgjedhor të formulimeve dhe përcaktimeve të afateve proceduriale.

Artikulli paraprakKoncesioni i plehrave u dha para se të krijohej kompania
Artikulli tjetërTenderi i uniformave u denoncua nga një letër anonime brenda policisë