Pas lajmit për kapjen e vëllait të shefit të komisariatit të Dibrës Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë për faktet e paraqitura për krimin zgjedhor, dhe për implikimin e Agës në trafikun e drogës. Përmes një deklarate për mediat, PD dënoi faktin se edhe pse i vëllai u kap para dy ditësh me kokainë, dhe ndaj tij ka një kallëzim penal për krim zgjedhor, Robert Aga Shefi i Komisariatit të Dibrës vijon ende detyrën. “Karteli i drogës së Dibrës doli më në pah dy ditë më parë kur prokuroria ndaloi vëllain e shefit të komisariatit të Dibrës, Bert Aga, me një sasi droge të fortë, të llojit kokainë. Ndërkohë që ai kapet me kokainë, vëllai po korr parcelat e veta me kanabis në Dibër dhe po ofron mbrojtjen e nevojshme për bandat e tjera që dhanë kontribut në zgjedhjet e 11 shtatorit. Megjithë këto implikime të drejtpërdrejta në trafikun e drogës, Aga, ose agai i kanabisit në Dibër vazhdon të jetë në detyrë dhe ka mbështetjen e Tahirit dhe Edi Ramës. Aga është po ashtu në krye të grupit të strukturuar që prishi zgjedhjet në Dibër, i kallëzuar në prokurori nga Partia Demokratike me 1 shtator” thuhet në reagimin e PD. PD bëri thirrje Prokurorisë për një hetim të plotë dhe deri në fund të ngjarjes. “Ne e dimë pengesën që has organi i akuzës, pasi kreu i kartelit të drogës së Dibrës ka mbrojtjen e Tahirit dhe Ramës, por ndalimi i vëllait me kokainë është thjesht një hap. Hetimi dhe veprimet e plota duhet të shkojnë tek kreu i kësaj organizate që është pikërisht shefi i komisariatit të Dibrës. Karteli i drogës nuk mundet dhe nuk do ti shpëtojë dot ligjit, edhe nëse mbrohet deri në fund nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama” theksohet në deklaratën e PD.
47-vjeçari Pajtim Aga, i cili u kap me 320 gr kokainë në Lezhë është vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë së Dibrës, Robert Aga. Pajtim Aga, u arrestua nga Seksioni Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë dhe gjatë kontrollit në automjet iu gjet sasia e kokainës. Aga, banues në Tiranë, u arrestua në Lezhë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale kokaina e paketuar. Policia dyshon se Aga merret me shpërndarjen e drogës. Ndaj 47-vjeçarit do të rëndojë akuza e “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga, ka qenë një nga personat më të akuzuar nga Partia Demokratike si i përfshirë në blerjen e votave gjatë procesit zgjedhor për Bashkinë Dibër. PD ka depozituar në Prokurori për Agën dhe një kallëzim, duke e cilësuar pjesë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Para zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Dibër, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, doli me një listë emrash të shefave të komisariateve që sipas tyre janë pjesë e rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike.
Në listën e 5 shefave të komisariateve rezultonte të ishte edhe ai i Dibrës, Robert Aga, që gjithashtu PD e ka dorëzuar në Prokurori në listën e personave që denoncoi për blerje votash në këtë Bashki. Arrestimi i Agës u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e tij. Lënda narkotike u gjet e paketuar dhe sipas policisë dyshohet për një rrjet të shpërndarjes dhe të shitjes.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve në Dibër, shtabi elektoral i Partisë Demokratike mori informacion për shpërndarjen e parave nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë të administratës publike, nën mbrojtjen dhe shoqërimin e policisë së drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga. Kështu, në fshatin Pilaf, Komuna Tomine u kapën nga banorët duke shpërndarë lekë për blerje votash administratori i Tominit, Nuri Meda së bashku me Shefki Ademin në makinën X5 e zezë, AA909KH, nën mbikëqyrjen e furgonit të policisë me targa POLICIA 0788 me përgjegjës Robert Aga.