Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama të cilën Top News e disponon, ku kërkon informacion për çështjen e detit.
Kujtojmë se që nga deklarata e kryeministrit grek Mitsotakis, i cili komunikoi në parlamentin grek për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në det, çështja u shoqërua më një sërë debatesh në vendin tonë.
Ndër kërkesat e renditura nga Presidenti Meta drejtuar Kryeministrit Edi Rama për këtë çështje thuhet se: “Kërkoj informacion mbi komunikimin me kryeministrin grek apo zyrtarë të tjerë. Kërkoj informacion mbi qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare për çështjen e detit. Kërkojmë informacion për veprimet që do ndërmarrë qeveria shqiptare”, shkruhet në letër.
Greqia është shprehur se ajo ka vendosur të ushtrojë të drejtën që asaj i jep ligji ndërkombëtar dhe konkretisht neni 3 i Konventës së Kombeve te Bashkuara të vitit 1982 për të Drejtën e Detit dhe për zgjerimin e ujërave të saj territoriale nga 6 në 12 md në detin Jon dhe ishujt e tij, deri në Kepin Tenaro në Peleponez.
Letra e Presidentit Meta
Pak ditë më parë në parlamentin grek, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Greqisë me Italinë dhe Egjiptin, media ka raportuar për një deklaratë të kryeministrit të Greqisë z. Mitsotakis, sipas së cilës ai ju ka komunikuar qëndrimin e qeverisë greke lidhur me vendimin për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje detare.
Duke patur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për republikën e Shqipërisë, si dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj një informacion të detajuar mbi:
– komunikimin që keni zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje
– qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë dhe ato ndërkombëtare
– veprimet që planifikohen të ndërrmeren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë.