Zinedin Zidan ndihet i turpëruar që Reali i tij ka arritur 3 barazime radhazi. Skuadra mund të quhet zyrtarisht në krizë rezultatesh, edhe pse tekniku i madrilenëve nuk e pranon diçka të tillë. Ai thotë se ekipi luajti një ndeshje të mirë ndaj Dortmundit, por nuk e shpjegon dot faktin se pësoi vetëm pak minuta nga fundi. Sipas Zidanit, skuadra duhet të largohej me 3 pikët nga Gjermania.
“Djemtë bënë një ndeshje të madhe dhe të shkëlqyer do të thosha. Është e vështirë ta pranosh rezultatin, sepse mendoj që mendonim më shumë. Rezultati nuk ishte i duhuri për këtë ndeshje, sepse ne duhet ta fitonim. Megjithatë nuk është aq rezultat i keq, pasi ishte një rival i fortë”, tha trajneri i Realit.
Ai analizoi edhe mënyrën se si u luajt ndeshja, duke pranuar se ekipi i tij lëshoi shumë terren në pjesën e parë. “Në pjesën e parë ne vuajtëm shumë, sepse Dortmundi luajti shumë mirë dhe bëri presion shumë lart. Ky fakt na pengoi për të dalë në lojën tonë dhe ne e dinim që nuk do ta kishim të lehtë. Ishim përgatitur për lojën e shpejtë të Dortmundit, por pas disa minutave morëm nën kontroll ndeshjen. Pasi shënuam, gjithçka foli për ne. Në tërësi bëmë një ndeshje të mirë dhe jam shumë krenar për skuadrën”, theksoi numri një i stolit madrilen.
Fakti që “galaktikët” kanë barazuar 3 ndeshje radhazi, nuk përtypet dot nga trajneri i tyre. Ai ka thënë se është turp që skuadra nuk ka arritur të mbajë rezultatet, por pëson në minutat e fundit. “Luajtëm me intensitet, por është e turpshme që pësojmë në fund dhe ky fakt të vret shumë. Nuk mund të barazojmë 3 ndeshje radhazi. Është fakt trishtues, duke menduar edhe atë që bëjnë lojtarët në fushë për ta fituar ndeshjen. Sfidën e ardhshme duhet ta fitojmë patjetër”, tha Zidan në përfundimin e ndeshjes.
Ai nuk ka dashur të analizojë lojën individuale të futbollistëve të tij, por tha se të gjithë bënë një ndeshje pozitive, pavarësisht se nuk arritën të merrnin fitoren.