Plehrat, “Camorra” e politika, po vijnë fabrikat e vdekjes

Pseudonimi i Antonio Iovines brenda klanit ka qenë “o’ninno”, fëmija. Por pamja e tij e pafajshme dhe rinore nuk mund të mbulojë faktin, se ai është një kriminel i kalibrit të lartë, i cili nuk është sprapsur as prej vrasjeve dhe as prej mëkateve ndaj mjedisit. Regjistri i dënimeve ndaj tij është po aq i ngarkuar, saqë ai mund të dalë nga burgu vetëm në moshë shumë të thyer. Ndoshta pikërisht kjo e ka nxitur atë që të denoncojë. “O’ninno”, i cili që nga viti 2010 ndodhet në një burg të sigurisë së lartë, në maj të këtij viti vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Krahas historisë së tij personale, që nga futja në klan e deri tek ngjitja brenda organizatës, Iovine ia ka shpjeguar në detaje Prokurorisë së Napolit, se si është kryer biznesi me mbeturinat dhe asgjësimi ilegal i tyre. Që nga fundi i viteve ‘90-të klanet zbraznin plehra të çdo lloji, madje edhe mbetje të posaçme, duke mos iu përmbajtur rregullave, duke kontaminuar në këtë mënyrë zona të tëra në rajonin Kampania. Gjendja emergjente e krijuar prej plehrave në Napoli, që në vitin 2008 tërhoqi vëmendjen e shtypit mbarëbotëror, sipas Iovine i erdhi për shtat Michele Zagarias, një bos i Camorras me kontaktet më të mira tek politikanët rajonalë, të cilët duhej ta zgjidhnin sa më shpejt të ishte e mundur këtë problem. Zagaria ka paguar ryshfet për t’i hequr mbeturinat nga rruga dhe për t’i depozituar apo asgjësuar ato nëpër troje, që i përkisnin atij, të afërmve të tij apo figurave fiktive. Për këtë qëllim, ai themeloi një firmë fantazëm, e cila fitoi tenderin publik për asgjësimin e mbeturinave. Personi përgjegjës për tenderin ofertat e paraqitura i pati verifikuar fshehurazi, duke vënë në dijeni Zagarian, se me çfarë shume duhej të aplikonte për të fituar tenderin.
Por kaq nuk mjaftoi. Një pjesë e madhe e plehrave nuk u gropos, por të mbledhura nëpër thasë e qese plastike ato u lanë të thaheshin nën diellin napoletan. Pirgjet e mëdha të plehrave kundërmonin erë anembanë, gjë që e vuri popullsinë në lëvizje. Demonstrata e protesta të qytetarëve të shqetësuar tërhoqën vëmendjen e medias e madje e vunë në presion edhe qeverinë asokohe. Meqenëse mungonin depot e djegies së mbeturinave dhe transportimi i tyre për në Gjermani apo Holandë kushtonte, u vendos që përmes një dekreti emergjence një deponi ilegale e plehrave rrëzë Vezuvit të legalizohej menjëherë. Por kjo ndodhi vetëm në letër, sepse në realitet gropa gjigante nuk u përgjigjej aspak standardeve të sigurisë.
Kjo gropë ekziston edhe sot. Edhe sot ajo vazhdon të jetë një deponi zyrtare mbeturinash, ku grumbullohen plehrat nga mbarë Italia. Në mes të Parkut Kombëtar të vullkanit Vezuv, që është një zonë natyrore e mbrojtur. Kur Mina Esposito në mëngjes ngre grilat e dritareve, ajo përshëndet Vezuvin me një “Buon giorno” miqësore. “Ne jetojmë në harmoni me vullkanin, ai është shumë më gjatë se ne këtu”, thotë gruaja shtëpiake nëna e dy fëmijëve të vegjël.
Ajo tashmë është ambjentuar me mendimin, se ndonjë ditë vullkani mund të shpërthejë, por ajo nuk mund ta pranojë kurrësesi që mbeturinat rrëzë tij dhe helmet e deponisë të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve të saj. Ndaj ajo bashkë me disa qytetare të tjera kanë themeluar nismën “donne vulcaniche” (gratë e vullkanit). Ndër to bën pjesë edhe gjermania Klaudia Eckhoff, të cilën e ka tërhequr dashuria për Boscorealen në rrëzë të Vezuvit. Kur ajo erdhi në mesin e viteve ‘80-të në këtë vend, peisazhi vullkanik i dukej asaj si parajsë e vogël. Edhe sot e kësaj dite, ajo i shijon shëtitjet e gjata me vajzën e saj nëpër Parkun Kombëtar. Por ndonjëherë atë e përfshin një ndjenjë trishtimi dhe ajo pyet veten, sa helm merr familja e saj përmes ujit dhe perimeve që rriten në kopshtin e saj. Që të shpërngulet prej këtej, ajo as që e çon nëpër mend, “ku të shkoj? Vjehrra dhe vjehrri im jetojnë këtu, ata janë të moshuar, ne nuk mund t’i shpërngulim ato diku tjetër”. Të largohen dhe të heqin dorë, këtë as që e shtrojnë “donne vulcaniche” nga Boscoreale. Ato protestojnë, duke bërë shumë armiq në këtë rajon. Politikanët lokalë i kanë ndaluar ato përmes dhunës policore, sepse ato duan që ta mbyllin deponinë dhe për këtë luftojnë si në gjykatë ashtu edhe duke kryer aksione spektakolare proteste kundër harresës. Qëkurse mbeturinat nuk kundërmojnë më erë, askush nuk pyet, se çfarë do të bëhet afatgjatë për ta zgjidhur problemin e asgjësimit të plehrave.

Shifra dramatike dhe tumore

Shumë njerëz në Napoli nuk durojnë dot më: Ata protestojnë kundër plehrave të mafies. Herë pas here në mediat italiane publikohen shifra alarmante. Në disa rajone të Kampanias sëmundjet nga tumoret vitet e fundit janë rritur në mënyrë disproporcionale, por nuk ka të dhëna të sigurta gjithëpërfshirëse. “Këtë dinë ta ndalojnë politikanët”, thotë Mina Esposito me ironi. Edhe organizatat e mbrojtjes së mjedisit janë të shqetësuara për florën dhe faunën në Parkun Kombëtar për shkak të zbrazjes së mbeturinave me prejardhje të dyshimtë. Dekreti qeveritar i vitit 2008 nuk është shfuqizuar dhe ai lejon depozitimin e mbeturinave pa i provuar ato. Ky dekret i lëshuar për zgjidhjen e situatës akute në Napoli, është tani një provë e burracakërisë së politikës, e cila i shmanget përgjegjësisë. Kushdo që merret me asgjësimin e mbeturinave, herët ose vonë duhet të përballet me Camorran. Ky biznes është shumë joshës, aq sa kriminaliteti i organizuar nuk do të heqë dorë prej tij.
Ky është një shembull që vjen nga Italia e afërt me ne. Dhe kur ky fenomen merr përmasa të frikshme në këtë vend anëtar të Bashkimit Europian është e imagjinueshme se çfarë mund të ndodhë nesër në Shqipëri në rast se Ligji për Plehrat do të lejohet që të hyjë në fuqi.
Mafia është këtu, Camorra në këtë vend është qeveria. Protestat duhen sot, nesër do të jetë mjaft vonë.

Artikulli paraprakRama drogoi Shqipërinë, tani kërkon ta helmojë atë
Artikulli tjetërOficeri i policisë dhe prokurori merrin 18 mijë euro për një firmë