Pra, duke e thjeshtuar akoma më tej llogarinë del se në rast se kërkon të marrësh 1 mijë metra tokë shtetërore në zonën e Dhërmiut, Himarës, Sarandës, Ksamilit apo Lukovës, duhet të paguash vetëm 23 mijë lekë në muaj aq sa është vlera e një apartamenti 1+1 në ndonjë zonë të Tiranës, jo në qendër. Ose në vit jo më shumë se 276 mijë lekë. Me vendimin e mëparshëm për një sipërfaqe të tillë, duhej të paguaje të paktën 100 mijë lekë në muaj, ose më shumë se katërfishin e asaj që reklamon tashmë qeveria.
Çmimi fjala vjen, është dhe më i lirë se për qarkun e Elbasanit, ku qeveria preferon të japë me 33 lekë për metër katror troje në fshatrat që përfshijnë Librazhdin apo Gramshin. Nga ndryshimi i çmimit duket se nuk ka luajtur vetëm Bashkia e Tiranës, ku ka shtuar një 20 lekësh duke e çuar metrin katror në 12 lekë me qera. Por në Tiranë dihet që është e vështirë të gjesh troje të lira. Më tej, çmimi për qarkun e Durrësit nuk i kalon 33 lek për metër katror. Pra zona të tilla, si Gjiri i Lalzit, Hamallaj, Kepi Rodonit etj. Në bregdetin e Lezhës ulet akoma më shumë dhe shkon në 20 lek për metër katror, në Shkodër 23 lek në rang qarku, ku përfshihet dhe Velipoja e kështu me radhë.
Ndërtesat
Por në vendimin e qeverisë është menduar dhe për ndërtesat, prona shtetërore që janë në qytete dhe jashtë tyre, dhe pronat e Bashkisë së Tiranës duket se do të kenë uljen më të madhe. Kjo sepse në vendimin e djeshëm është parashikuar ndryshimi i çmimit. “Për ndërtesat, të cilat quhen të tilla sipas përcaktimeve në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, në fushën e planifikimit të territorit, tarifa dysheme e qirasë mujore për metër katror është 0.3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave, e përcaktuar në udhëzimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në fuqi në momentin e dhënies me qira apo enfiteozë të pasurisë shtetërore”.
Me vendimin e vitit 2014, dhënia me qera e një metri katror ishte rreth 300 lekë të reja, ose rreth 1% e kostos së ndërtimit të një metri katrior në Tiranë, duke ju referuar udhëzimit të vitit 2016 të Entit Kombëtar të Banesave. Pra për 1 mijë metra katrorë, duhej të paguheshin rreth 300 mijë lekë në muaj, sot kjo shifër me vendimin e qeverisë shkon në 97 mijë lekë. Pra është ulur me 2 /3 për Tiranën. Ndërkohë që me 50 përqind ulen çmimet e ndërtesave në Durrës apo Vlorë, ndërsa në rrethe ulen më pak apo ngrihen sipas rastit.
Kjo në bazë të udhëzimit të vitit 2016, sepse më parë Enti i Banesave ka referuar çmime të ndryshme kostosh. Pra, në rast se dikush e ka marrë objektin shtetëror me qera para 15 vitesh, atëhere llogaritja bëhet në bazë të metrit katror të asaj periudhe. Sa më shumë shtyhet në kohë, aq më shumë ulet çmimi dhe ata që kanë 20 apo 25 vjet që i kanë marrë këto objekte, i bie të paguajnë çmime fare qesharake.
Ekspertët
Ekspertët e pyetur nga gazeta Mapo shprehen se reduktimi i çmimeve sidomos i tokave në bregdet, nuk bëhet krejt pa qëllim. Mund të ndodhë si në disa raste, ku individë të ndryshëm i kanë marrë me qera dhe më pas i kanë kaluar në pronësi. Edhe ata me kontrata 20 apo 30 vjeçare i kishin dhe më pas në bazë të ligjeve që nxorri qeveria i kaluan në pronësi. Qëllimi i dytë është marrja me qera nga grupet kriminale, që i shfrytëzojnë këto toka për të pastruar paratë.
Pasi i marrin deklarojnë investime që nuk i kanë bërë asnjëherë. “E patë se çfarë ndodhi në bregun e jugut. Të gjithë ata që kishin marrë me qera toka për 20 apo 30 vjet u bënë pronarë të tyre. Pra, bëjnë një investim dhe nesër pasnesër toka u falet. Ka plot shembuj ku godina të marra me qera në Tiranë të ish-ndërrmarjeve shtetërore janë kthyer në pallate, apo toka të marra me qera në bregdet ku oligarkët janë bërë pronarë të tyre.
Ka dhe diçka se ligji për emfiteozën ose dhënien me qera, i lehtëson shumë nga taksat dhe ekziston mundësia që grupe kriminale të trafikut, ti përdorin këto për të pastruar paratë me investime që ndoshta si kanë bërë kurrë”, thonë për gazetën MAPO ekspertët e pronave. Kreu i Hipotekës Artan Lame është shprehur se vetëm në bregdetin e jugut ndodhen 5200 prona shtetërore, të cilat do të legalizohen. Bëhet fjalë për qindra e mijëra hektarë tokë të paregjistruara që sot figurojnë si toka shtetërore. Specialistët shprehen, se proçesi lë jo pak vend për abuzime, sidomos tashmë që dhënia me qera e tokës shtetërore bëhet me çmimet që pasqyruam më lart. /Mapo.al