A vlerëson FEB reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim?

Kryeministri Rama deklaroi dje se Forumi Ekonomik Botëror (FEB) ka vlerësuar reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim, duke e renditur Shqipërinë të 33-tën nga 138 vende të vëzhguara.
Kjo deklaratë nuk është e vërtetë, pasi FEB nuk mat dhe vlerëson reformat në shëndetësi apo arsim. Raporti vëzhgon indikatorë të fushave të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejtë në biznes.
Më poshtë “Exit” shpjegon se çfarë mat raporti i FEB në shëndetësi dhe arsim:
FEB fokusohet tek përhapja dhe ndikimi në biznes i tri sëmundjeve epidemike: malaria, tuberkulozi dhe HIV/AIDS. Të tria këto sëmundje, kryesisht të përhapura në vendet afrikane, ndikojnë në jetëgjatësinë e popullsisë dhe në uljen e fuqisë punëtore të një vendi, duke u ndikuar drejtpërdrejtë në biznes.
Sipas të dhënave zyrtare të Shqipërisë, FEB, lidhur me këto tri sëmundje raporton:
Shpeshtësia e sëmundjes së malaries për 100 000 banorë – për këtë indikator Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë zyrtare.
Ndikimi i sëmundjes së malaries në biznes – duke qenë se nuk ka një shifër zyrtare për shpeshtësinë e saj, nuk mund të matet ndikimi në biznes.
Shpeshtësia e sëmundjes së tuberkulozit për 100 000 banorë – sipas të dhënave zyrtare rezultojnë 19 të sëmurë në 100 000 banorë. Shqipëria renditet në vend të 44-t nga 138 vende të vëzhguara. Në rajon, ajo renditet më poshtë se Greqia, Maqedonia apo Serbia.
Ndikimi i sëmundjes së tuberkulozit në biznes – Shqipëria renditet në vend të 40 nga 138 vende, sërish më dobët në krahasim me vendet fqinjë.
Përhapja e SIDA-s dhe HIV – ose përqindja e popullsisë nga 15 deri në 49 vjeç që janë të rezultojnë të prekur nga HIV/AIDS – Këtu Shqipëria renditet e para nga 138 vende të botës, me një përqindje më të ulët se 0,1. Kjo renditje me shumë gjasa për arsye se në Shqipëri mungojnë të dhënat zyrtare për këtë sëmundje.
Ndikimi i HIV/AIDS në biznes – Shqipëria renditet në vend të 28 nga 138 vende. Kjo renditje duket se bie ndesh me renditjen si e para në botë për numrin e ulët të të infektuarve me HIV/AIDS. Nëse më pak se 0,1 për qind e popullsisë janë të infektuar, kjo nuk mund të ndikojë aq shumë në biznes sa ta rendisë vendin në vend të 28-të.
Katër indikatorët e tjerë të kësaj kategoria janë:
Vdekshmëria foshnjore në 1000 lindje – Shqipëria renditet në vend të 69-të, duke performuar më dobët se Maqedonia, Serbia apo Greqia, me 12, 5 vdekje në 1000 lindje.
Jetëgjatësia – Shqipëria renditet në vend të 38-të me një jetëgjatësi prej 77,8 vitesh.
Cilësia e arsimit fillor – Shqipëria renditet në vend të 22-të nga 138 vende.
Përqindja e fëmijëve që regjistrohen në shkollat fillore – 95,5 për qind e fëmijëve regjistrohen në shkollën fillore duke e renditur vendin të 63-tin.
Pra, kuptohet qartë se indikatorët që merren në shqyrtimin nuk kanë lidhje me politikat shëndetësore apo arsimore të marra nga qeveria. FEB nuk vëzhgon kushtet e spitaleve e shkollave apo shërbimet e ofruara prej tyre, që ndikohen drejtpërdrejtë nga politikat e qeverisë. Nëse raporti do të bënte një pasqyrë të plotë të tyre dhe Shqipëria ende do të renditej e 33-ta në botë, kjo po do të ishte një arsye që Kryeministri Rama të ndihej krenar për reformat e qeverisë së tij.

Artikulli paraprakKosovë, administrata Tatimore, aksione për transaksionet fiktive
Artikulli tjetërShqiptarë marrin 35% të huave për mbijetesë