Shqipëria ka pozicionimin më të keq në rajon në treguesin e sistemit ligjor dhe të drejtave të pronësisë, sipas Raportit të fundit të Lirisë Ekonomike 2016 të Fraser Institute, publikuar pak ditë më parë. Ndonëse në përgjithësi Shqipëria u përmirësua me 20 vende, nga i 62-ti në atë të 42-të, duke qenë më e mira në rajon, kur vjen puna te zbatimi i sistemit ligjor dhe e drejta e pronës, shumë çështje çalojnë.
Pavarësia gjyqësore, me vetëm 2.73 pikë, është treguesi që merr jo vetëm më pak pikë në rajon, por edhe nga të gjithë indikatorët e tjerë të kësaj kategorie (pikët vlerësohen nga 1 në 10, ku sa më afër vlerës 1, aq më negativ është).
Shqipëria, së bashku me Bosnjën, “shquhen” dhe për gjykata të njëanshme, me përkatësisht 3.11 dhe 2.9 pikë.
Edhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, Shqipëria renditet e fundit në rajon, me 3.41 pikë.
Në zbatimin ligjor të kontratave, më keq se Shqipëria renditen Serbia dhe Bosnja.
Në Shqipëri rezulton që besueshmëria ndaj policisë është më e ulëta në rajon, me 4.54 pikë. Pas Shqipërisë, vendi ku qytetarët kanë më pak besim te policia është Serbia, me 4.71 pikë, ndërsa vendi i rajonit ku policia vlerësohet më shumë është Bosnja, me 7.3 pikë.
Shqipëria paraqitet më mirë në treguesin e ndërhyrjes ushtarake në ligje e politikë, me 8.33 pikë.
Vendi ynë së bashku me Maqedoninë rezultojnë që kanë më pak kosto si rrjedhojë e krimit dhe dhunës.