Ylli i Real Madridit dhe Portugalisë, Kristiano Ronaldo, ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze “World Soccer”, ku ka treguar se ambiciet e tij në futboll nuk janë ngopur ende dhe gjithashtu ka folur për një të ardhme të mundshme të tij si trajner.
-A ishte sezoni i kaluar më i suksesshmi në karrierën tuaj?
Me shumë mundësi po. Trofetë e fituar tregojnë diçka të tillë. Fituam për herë të parë një kupë për Portugalinë dhe i shtuam Realit të Madridit një tjetër Ligë Kampionësh.
-Si është të fitosh me kombëtaren në krahasim me sukseset me klubin?
Me Portugalinë ishte hera e parë. Gjithnjë është emocionuese të fitosh diçka për herë të parë. Unë kam fituar 3 Liga të Kampionëve, por me Portugalinë ishte diçka ndryshe. Gjithnjë kam ëndërruar një trofe me kombëtaren dhe ia arritëm.
-E shikoni veten si trajner në të ardhmen?
Nuk e di, është shpejt për të thënë një përgjigje të saktë. Për momentin nuk e shoh veten si trajner në të ardhmen, por ndoshta pas disa vitesh mund të më pëlqejë të bëj diçka të tillë dhe mund të jem një trajner i shkëlqyer.
-Keni fituar shumë trofe, por ju mungon Kupa e Botës. A mund të jetë Portugalia një pretendente për këtë trofe?
Sigurisht që po. Ne fituam Europianin për herë të parë në histori dhe treguam më së miri se çmund të bëjmë. Tani do të kemi më shumë presion, por në futboll mund të ndodhë çdo gjë, ndaj unë jam optimist.
-Asnjë ekip nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve 2 herë rresht që mbas prezantimit të formatit të ri me fazë grupesh. Mund ta realizojë Real Madridi diçka të tillë këtë sezon?
Mendoj se po, është e mundur. Nëqoftëse luan për Real Madridin gjithnjë duhet të mendosh se nuk ka të pamundura. Jemi një ekip i mirë, me një trajner të mirë dhe kemi fituar shumë nga eksperienca e vjetshme. Është një sfidë interesante dhe besoj se mund t’ia dalim.