Ledian Memushaj thotë se duhet të jap më tepër nga vetja për ta ndihmuar Peskarën të sigurojë mbijetesën mes më të mirëve të futbollit italian edhe sezonin e ardhshëm. Në konferencën e zakonshme javore për media, kapiteni i bardhekaltërve foli për ecurinë e skuadrës në kampionat. “Të dielën e shkuar i dhamë fare pak mundësi Xhenoas, kurse ne mund të kishim bërë më tepër. Morëm një pikë të rëndësishme ndaj një kundërshtari të vështirë. Në Serinë A po mësojmë se mund të pësosh pak dhe të godasësh kur të jepet mundësia”, tha mesfushori vlonjat lidhur me duelin në ‘Luixhi Ferraris’, ku Rei Manaj shënoi golin e barazimit 1-1 për abruskezët.
Prova e radhës për “Delfinin” është të shtunën në shtëpi përballë Kievos, takim të cilin Memushaj e cilëson si tepër të vështirë: “Është një skuadër me përvojë dhe shumë fizike, që di t’ua bëjë jetën të vështirë kundërshtarëve. Si përherë ne duhet të bëjmë lojën tonë. Te Kievo njoh Hetemajn, djalë flori”.
29-vjeçari prej kohësh është shndërruar në një nga pikat më të forta të Peskarës, megjithatë ai ndjen se duhet të japë më shumë: “Ndjehem mirë, por duhet dhe mund të jap më tepër. Nuk jam i lodhur dhe në mendje kam vetëm synimin për të siguruar mbijetesën. Pushova pak pas Europianit, por tani jam mirë. Është një kampionat i vështirë, por ne po ecim mirë. Në Serinë B duhet t’i fitosh thuajse të gjitha ndeshjet, kurse në A mjafton t’i lësh kundërshtarit më pak hapësira dhe t’i konkretizosh rastet që të vijnë, siç bëmë në Xhenova”.
Ndërkohë, mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka e ka pranuar se ka pasur emocione dhe adrenalinë të luaj kundër ish-skuadrës dhe vëllait të tij. Por, ai është i lumtur me fitoren e skuadrës së tij me rezultat të pastër 2:0.
“Çfarë ndeshje. Çfarë emocioni të luaj kundër ish-klubit ku i bëra hapat e parë. Çfarë adrenaline të luaj kundër vëllait tim. Ndeshje e paharrueshme. Gjithçka perfekte. Faleminderit të gjithëve”, shkruan Xhaka në Facebook.