Lamtumira e fundit për Shimon Peres

Ish-lideri izraelit, Shimon Peres, njëherësh fitues i çmimit Nobel për Paqe, është varrosur dje në Jeruzalem, në ceremoninë ku morën pjesë dhjetëra liderë botërorë.
Presidenti amerikan, Barack Obama, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, Presidenti i Francës, Francois Hollande e të tjerë, ishin në mesin e zyrtarëve të lartë, që morën pjesë në ceremoninë në varrezat, Mount Herzl, në Jeruzalem.
Duke folur në këtë ceremoni, Presidenti Obama tha se Shimon Peres ka treguar se drejtësia dhe shpresa janë në zemër të idealit të shtetit izraelit.
Më tutje, Presidenti Obama, theksoi:
“Shimon Peres na përkujton neve se shteti i Izraelit, sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ishte ndërtuar nga cinikët. Ato ekzistojnë pasi njerëzit para nesh refuzuan të jenë të kufizuar nga e kaluara ose nga vështirësitë e së tashmes. Shimon Peresi kurrë nuk ishte cinik. Është ky religjion, është ky optimizëm, është ky besim – bile edhe kur të gjitha dëshmitë ishin kundërshtuese – se nesër do të jetë më mirë, pra kjo është ajo që ne na bën jo vetëm ta nderojmë Shimon Peresin, por edhe ta duam atë”, tha Barack Obama.
Presidenti amerikan theksoi se Peresi gjithnjë ishte përpjekur për një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez, që të dy palët i trajton në mënyrë të barabartë.
Ish-President dhe ish-Kryeministër i Izraelit, Shimon Peres ka vdekur para dy ditësh, në moshën 93-vjeçare.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pjesëmarrja e liderëve botërorë në ceremoninë e varrimit paraqet testament për optimizmin e Peresit, synimin për paqe dhe dashurinë për Izraelin.

Artikulli paraprakRusia një vend i veçantë? Oligarkët flasin për Putinin
Artikulli tjetërSHBA ngrin marrëdhëniet me Rusinë