Mario Mandzukiç ka humbur buzëqeshjen në Torino dhe ky moment aspak i lumtur i tij ka nisur të vihet mjaft në evidencë, duke krijuar tension te Juventusi, ndonëse skuadra po u jep vazhdimësi fitoreve të saj. Siç zbulon e përditshmja “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi kroat shpresonte që të luante titullar të martën në Ligën e Kampioneve kundër ish-skuadrës së tij, Dinamos së Zagrebit. Por mbërritja e Gonzalo Higuainit në radhët e bardhezinjve e ka kufizuar në maksimum minutazhin e ish-bomberit të Atletikos dhe Bajernit, dhe padyshim që të qëndruarit në pankinë e ka nervozuar jo pak.
Edhe pse ai luajti në 20 minutat e fundit të sfidës në Zagreb, Mandzukiç i kishte kërkuar personalisht trajnerit të tij që të ishte pjesë e formacionit titullar, por refuzimi nga ana e “Kontit Maks” ka irrituar jo pak lojtarin, i cili në fund të takimit u nda nga grupi, braktisi i pari dhomat e zhveshjes në formë proteste dhe u ul në autobus së bashku me mesfushorin Stefano Sturaro dhe disa drejtues të skuadrës.
Ky fakt nuk i pëlqeu aspak Alegrit, i cili kur vuri re mungesën e Mandzukiç urdhëroi thirrjen e tij brenda dhomave të zhveshjes, ku strategu livornez u detyrua të ngrinte zërin jo vetëm për disa gabime teknike që pa në lojën e skuadrës së tij, por edhe për këtë sjellje të sulmuesit, i cili duket se ka dalë jashtë rrymës së grupit.
Natyrisht që kjo situatë pritej të ndodhte, sepse Mario Mandzukiç është një nga ata futbollistë që nuk e përjeton mirë stolin dhe mbi të gjitha nuk ngurron ta bëjë të ditur këtë me gjeste dhe me fjalë. Jo më kot, ai u largua nga Bajerni i Mynihut për Atletikon dhe ndoshta, nëse situata nuk ndryshon, në janar mund të ketë një divorc mes palëve.
Paris Saint-Germain i Unai Emery hedh sytë nga Italia për të përforcuar sulmin. Endrra e ish-trajnerit të Sevilla-s, është Carlos Bacca, futbollist të cilin e ka pasur nën urdhërat e tij në klubin andaluzian dhe me të cilin ruan një raport të veçantë, por duke parë vështirësitë që paraqiten në misionin për t’i rrëmbyer Milanit kolumbianin, sipas “L’Equipe”, PSG ka vënë nën shënjestër Mario Mandzukiç, i cili po gjen shumë pak hapësira te Juventusi pas transferimit te bardhezinjtë të Gonzalo Higuain. Sigurisht që me Edinson Cavanin, Emery ka një kampion përpara, me urugaianin që vjen pas dygolëshit vendimtar në Champions ndaj Ludogoretz, por po ashtu mund të thuhet me siguri që pas largimit të Zlatan Ibrahimoviç, skuadra pariziene ka humbur diçka në sulm.
Për këtë arsye PSG kërkon një sulmues që mund t’i japë garanci me Bacca që kryeson listë, por Mandzukiç duket një objektiv shumë më i arritshëm, dhe duke parë vështirësitë që ka për t’u imponuar si titullar te Juventusi, kroati mund të joshet nga oferta e PSG. Klubi i sheikut Al-Khelaifi kërkon një përforcim edhe në mbrojtje, dhe ashtu si për sulmin edhe në këtë repart kërkon të bëjë “shopping” në Serinë A, objektivi numër një është Antonio Rudiger që është duke u rikuperuar nga një dëmtim i gjatë, ndërsa alternativat janë Rodrigo Caaio i Sao Paolos dhe Victor Lindelf i Benficës.