Trafiku i organeve, 15 mijë euro për një veshkë, arrestohet mjeku rus në Tiranë

Boris Wolfman, një mjek rus i dyshuar se drejtonte një klinikë të jashtëligjshme me vendndodhje në Kosovë, për trafikimin të organeve është arrestuar në Tiranë. Organet shiteshin në tregun e zi në të gjithë botën, nga Kosta Rika në Turqi. I ndaluari kishte dy kombësi, ruse dhe izraelite. Sipas mediave italiane, “dhuruesit” mashtroheshin. Atyre u premtohej 15 mijë euro në këmbim të një veshke, por të shumtë janë shtetasit rus dhe nga vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik që pas operacionit nuk morën asnjë qindrakë.
Klinika quhej Medicus dhe është mbyllur, ndërsa pronarët e saj janë dënuar me 8 dhe 7 vite burg. Wolfman kishte arritur të shpëtonte. Ai ishte ndaluar disa muaj më parë në Turqi, por ia kishte dalë që të lihej i lirë. Sipas mediave italiane, dyshohet se mjeku kishte trafikuar më shumë se 30 organe.
Ndërkohë, një javë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të llogarive bankare të klinikës “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske. Boris Wolfman, sipas akuzës, ka tentuar të pastrojë para në Shqipëri nëpërmjet një klinike të hapur në qendër të Tiranës, në vitin 2014 nga një tjetër shtetas rus.
Nga monitorimi i vazhdueshëm rezulton se në llogarinë e shoqërisë “A News Life 4U” sh.p.k. ka mbërritur një transfertë në vlerën e rreth 40 mijë dollarëve me përshkrimin “faturë 2001 shërbime mjekësore” nga shteti i Izraelit, pikërisht nga Boris Wolfman.
Nga verifikimet e bëra ky shtetas ka llogari bankare në një tjetër bankë “të nivelit të dytë në Tiranë, në emër të kompanive që ai zotëron, konkretisht shoqëritë “Justsavelife” dhe “A.V.S. Investment Group”.
Po kështu, transaksione rezultojnë të jenë kryer edhe me shtetasin Renato Mezini, i cili rezulton se në muajin janar 2010 është ndaluar nga autoritetet italiane në Pescara si pjesë e një bande që trafikonte lëndë narkotike.
Sipas Prokurorisë nisur nga të dhënat e siguruara, konkretisht përfshirja e shtetasit Robert Shpolinske në transaksione me shtetasit e tjerë e për të cilët ka të dhëna në përfshirjen e tyre në aktivitete të jashtëligjshme, atëherë ka dyshime të bazuara në prova se pasuria e luajtshme në emër të shtetasit Robert Shpolinske janë rezultat i këtij aktiviteti kriminal.
Klinika ishte hapur që prej vitit 2014 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek kullat binjake, në një apartament. Me objektiv fushën e turizmit mjekësor, gjithë shërbimet administrative dhe shoqëruese për turizëm mjekësor me sferë kryesore të veprimtarisë transplantimin e organeve. Dy shtetasit e huaj po hetohen nga Prokuroria për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale”.

Artikulli paraprakKërcënohet një tjetër biznesmen i huaj: 10 mijë euro ose largohu
Artikulli tjetërPolicia Rrugore, terror ndaj drejtuesve të mjeteve në Tiranë, 650 gjoba në ditë