BSH zbardh shifrat. Rama mburret me investimet e qeverisë “Berisha”

Ministra të qeverisë dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë trumbetuar jo pak në publik rritjen e investimeve të huaja në tremujorin e dytë të vitit. Por të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se merita për këtë më shumë se qeverisë së tij i shkon qeverisë së mëparshme.
Sipas Bankës së Shqipërisë rreth 60 për qind e investimeve të huaja që hynë në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë ishin nga projekte të kontraktuara gjatë qeverisë së kaluar. Më konkretisht, sipas të dhënave në periudhën Prill-Qershor, kompanitë e huaja investuan 261 milionë euro në ekonominë shqiptare. Por nga këto, 153.5 milionë euro ose 58.6 për qind ishin në sektorin e energjisë elektrike, pra hidrocentraleve, ku peshën e luanit e ka kaskada e Devollit me projektet e Moglicës dhe Banjës, të dyja të kontraktuara nga qeveria e Partisë Demokratike.
Në sektor e qeveria e majtë nuk ka miratuar apo kontraktuar asnjë projekt. Përkundrazi ajo ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj investimeve konçesionare në energjinë elektrike duke ulur çmimin për prodhuesit e vegjël privat si dhe duke anulluar dhjetëra leje. Gjasat janë që edhe në tremujorin e tretë investimet e huaja të vijnë nga projektet e qeverisë së mëparshme. Më konkretisht gjatë kësaj periudhe, investimet e huaja pritet të udhëhiqen nga gazsjellësi Transadriatik dhe Hidrocentrali i Moglicës.

Rritja e borxhi tatimor i qeverisë

Borxhi tatimor, që bizneset kanë ndaj organeve fiskale është rritur me ritme të frikshme duke kapërcyer shifrën 137 miliardë lekë ose 1 miliardë euro. Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave tregojnë se pjesa dërrmuese e tij është krijuar pas vitit 2012 duke dëshmuar për një përkeqësim të administrimit fiskal, por edhe rëndim të krizës ekonomike dhe aftësisë paguese të biznesit. Sipas të dhënave, nga fillimi i tranzicionit e deri në 31 dhjetor të vitit 2011, detyrimet e papaguara të bizneseve në shtet ishin vetëm 44 miliardë lekë. Por pas kësaj periudhe borxhet e biznesit në shtet janë rritur me ritme të frikshme. Më konkretisht, nga 1 janari i vitit 2012 deri në fund të vitit të kaluar borxhet e papaguara të biznesit ndaj organeve fiskale janë rritur me 93 miliardë lekë ose 680 milionë euro të tjera.
Kjo do të thotë se në vetëm 4 vitet e fundit, janë krijuar mbi dy herë më shumë borxhe të biznesit në shtet se sa ishin krijuar në dy dekada të tëra nga rënia e komunizmit deri në dhjetor të vitit 2011. Sipas shifrave, pjesa dërrmuese e tij i përket Tatimeve, ndërsa doganat kanë vetëm 20 miliardë lekë. Një pjesë e madhe e borxhit tatimor i përket bizneseve tashmë të mbyllura, ose falimentuara, çka e bën atë të pamundur të arkëtohet më në arkën e shtetit. Një pjesë tjetër janë detyrime të disa kompanive të mëdha në vështirësi financiare, si Kurum, ARMO apo kompani të tjera në fushën e naftës.

Artikulli paraprakBashkim qytetar kundër plehrave
Artikulli tjetërEkonomia informale përfshin gjithë Kosovën