Huaja për ekonominë është futur në ngërç prej gati dy vitesh, pavarësisht përpjekjeve të ethshme të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele minimale historike. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh.
Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%. I vetmi segment që po kreditohet është ai i individëve. Me bazë vjetore, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%.
Në të kundërt, huaja për bizneset është reduktuar me 4.7 miliardë lekë, apo rreth 1.2%. Tkurrjen më të lartë e ka shënuar ajo në valutë. Teksa kredia për bizneset po rezulton më problematike dhe nuk po kthehet, bankat po i kthejnë sytë te individët.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se huat me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. Më problematike është kredia në valutë. Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë përqindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit. Kredia për bizneset (sektori privat jofinanciar) zë 64% të stokut total të huas dhe ajo për individët rreth 29% (pjesa tjetër është hua për kompanitë shtetërore, ose sektorin privat financiar).