Judy Dempsey
Çdo verë, Svetlana Buzea dhe familja e saj nisen me makinë nga Gjermania përmes Polonisë dhe Ukrainës, drejt vendlindjes së saj Moldavi për pushime. Sa herë kthehet përsëri në Gjermani, Svetlana rikujton se nuk ka asnjë keqardhje apo pendim për faktin se ka lënë vendlindjen për t’u transferuar në Gjermani gjashtë vite më parë.
“Njerëzit janë shumë të varfër në vendin tim. Gjithçka është bërë më e shtrenjtë”, thotë ajo. “Mbi të gjitha, ai që po e shkatërron vendin tim është korrupsioni. Nuk e duroj dot. Duhet të paguash një ryshfet edhe për të lënë një takim me doktorin. Kjo është një nga arsyet kryesore përse u largova nga vendi im”.
40-vjeçarja Svetlana vazhdon duke thënë se gjërat sa vijnë e përkeqësohen. “Çdo fond i dhënë nga Bashkimi Europian hyn në xhepat e politikanëve të korruptuar. Njerëzit e zakonshëm nuk përfitojnë asgjë. Është shumë e trishtueshme ajo që po ndodh me bashkatdhetarët e mi. Nuk e imagjinoj dot kurrë të kthehem në vendlindjen time”.
Historia e Svetlanës është treguesi i qartë i faktorit që po shtyn emigracionin masiv nga Evropa Lindore drejt asaj Perëndimore dhe pasojat që ky emigrim po shkakton tek vendet që janë lënë pas. Qindra mijëra të rinj përreth Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore janë tranferuar për të punuar në Britani, Irlandë, Gjermani, Suedi, Spanjë apo Portugali. Sipas statistikave të fundit, 900 mijë polakë punojnë në Britani. Që pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, pothuajse 20 milionë njerëz nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore janë larguar nga rajoni. Kjo përbën rreth 5,5 për qind të të gjithë popullsisë së vendit, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Emigracioni i njerëzve të talentuar nuk lidhet vetëm me mungesën e mundësive apo joshjes për kushte më të mira jetese në vendet perëndimore të Bashkimit Evropian. Njerëzit kryesisht shtyhen nga korrupsioni i kudondodhur i kryer sistematikisht nga elita politike dhe nga oligarkët lokalë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet Juglindore. Ata që nuk duan të bëhen pjesë e këtij rrjeti të ndërlikuar korrupsioni institucional, vendosin të braktisin vendin dhe të arratisen.
Por për shkak se ata arratisen, këto njerëz ia lehtësojnë akoma më shumë jetën elitës së të korruptuarve. Gjëja e fundit që politikanët e korruptuar kërkojnë është shoqëria civile e edukuar, e gjallë dhe që kërkon ndryshim me çdo kusht, transparencë, përgjegjësi dhe mbi të gjitha demokraci. Për Perëndimin, nga ana tjetër, përfitimi nga vala e emigracionit është i qartë.
Vendet që prej vitesh presin emigrantë kanë akses të jashtëzakonshëm në një stresë të motivuar dhe të shkolluar njerëzish. Është e vështirë të gjesh statistika të sakta, por ekziston një numër i jashtëzakonshëm emigrantësh në vendet perëndimore që punojnë konform kualifikimit të tyre profesional, veçanërisht në fushën e mjekësisë dhe inxhinierisë. Të tjerët janë në pritje të një mundësie më të mirë dhe ndërkohë punojnë në një pozicion më të ulët se kualifikimi i tyre, gjë që i bën ata të shkëlqyer në punën që bëjnë.
Svetlana, për shembull, është diplomuar në administrim publik. Në Berlin ajo ka një punë të qëndrueshme në një kompani pastrimi kimik. Edhe pse puna që bën nuk ka lidhje me kualifikimin e saj, Svetlana arrin përsëri t’i dërgojë para prindërve të plakur në Moldavi. Paratë e tjera ajo i kursen me shpresën se një ditë do të blejë një apartament në kryeqytetin gjerman. Remitancat janë një avantazh i madh i emigracionit. Ato financojnë edukimin dhe shtojnë kursimet në rast se një ditë emigrantët do të vendosin të kthehen në vendlindje.
Por siç thotë Daria Zakharova, një nga autoret e rapotit të FMN-së mbi Emigracionin dhe Impaktin Ekonomik në Evropën Lindore, ka dy anë të medaljes. “Emigracioni i njerëzve të rinj dhe të aftë nga Evropa Lindore ka qenë një avantazh i jashtëzakonshëm për vendet pritëse”, tha ajo në një intervistë. “Por ka pasur një impakt negativ në rritjen ekonomike, konkurrencën dhe konvergjencën e të ardhurave në vendet që janë braktisur”. Dy të tretat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore janë përballur me rënie të ndjeshme të rritjes së GDP-së pikërisht për shkak të emigracionit dhe për uljen e aftësisë së fuqisë punëtore në vend.
Me pak fjalë kjo “arratisje e aftësisë” nga Evropa Lindore është duke rrënuar ekonominë. Janë më të mirët dhe më të zgjuarit ata që vendosin të largohen, duke lënë pas popullsinë e paaftë dhe të plakur. Remitancat nuk mjaftojnë për të kompensuar këtë humbje të madhe për vendet Lindore që duan të tërheqin investime të huaja apo të gjejnë mjaftueshëm fonde publike për të financuar popullsinë e plakur.
Nuk janë të paktë edhe efektet politike që shkakton ky fenomen. Gjatë periudhës sovjetike, Kremlini ose i burgoste disidentët ose i detyronte ata të arratiseshin nga vendi. Vendet e tjera komuniste përdornin po të njëjtat metoda ose të ngjashme. Gjithçka bëhej për të mbajtur nën kontroll ose për të shtypur çdo potencial apo lëvizje më të madhe të këtyre disidentëve.
Kaloni me shpejtësi çerek shekulli më pas. FMN-ja vlerëson se është cilësia e dobët e institucioneve, mungesa e rregullit të ligjit, mungesa e përgjegjshmërisë dhe korrupsioni i kudondodhur ai që inçentivon njerëzit më të aftë të vendeve Lindore për t’u larguar, jo vetëm ekonomia. Raportet argumentojnë se sa më të dobët të jenë institucionet në vend, aq më të motivuar janë të rinjtë dhe të shkolluarit për të kërkuar mundësi më të mira jashtë kufijve. Nëse emigracioni të çon drejt largimit të atyre që mund të ishin kthyer në motivues të ndryshimit, atëherë mund të çojë edhe në dobësimin e mëtejshëm të institucioneve.
Moldavia është shembulli i duhur. Oligarkët lokalë të lidhur me Rusinë drejtojnë gjithçka në vend. Ata zotërojnë sipërmarrje dhe janë infiltruar në çdo cep të strukturës shtetërore dhe adminstratës publike. Ata drejtojnë partitë politike dhe zotërojnë banka. Dy vite më parë ata orkestruan një megamashtrim që shkaktoi zhdukjen e kursimeve të njerëzve dhe i kushtoi vendit plot 13 për qind të GDP-së. Pavarësisht protestave masive askush nuk mbajti përgjegjësi dhe të njëjtat elita të korruptuara vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet.
Svetlana e ka përjetuar vetë kalbjen shtetërore të Moldavisë. “Unë punoja në Ministrinë e Brendshme. E kam parë me sytë e mi se çfarë po ndodhte. Nëse guxon të kritikosh të pushojnë nga puna ose nuk ngrihesh kurrë në detyrë. M’u shterruan energjitë dhe forcat. I jam përzemërsisht mirënjohëse atyre njerëzve që vazhdojnë të luftojnë për të ndryshuar gjërat në Moldavi dhe uroj që një ditë t’ia dalin. Kërkoj falje, por nuk mund të luftoj më me ju”.