Zyrtarë të policisë nga Tirana në 5 tonelatat e drogës në Mat

Ku shkuan 2 ton drogë nga magazina e Matit? Prokuroria akuzon Policinë
Zyrtarë policie nga Tirana drejtonin kultivimin e kanabisit në Mat. Burime nga Prokuroria e Matit bënë të ditur se, hetimet janë shtrirë deri në Tiranë për të zbuluar zyrtarët e përfshirë në kultivimin e kanabisit. Prokuroria e Matit bën përgjegjëse policinë e këtij rrethi, se ka bërë “një sy qorr” për parcelat e drogës që shiheshin në një distancë deri në 2 kilometra.
Ndërkohë, banorët e zonës bëjnë të ditur se, në zonën ku grumbullohej kanabisi vinin çdo ditë dy makina luksoze nga Tirana. Personat zbrisnin nga makina dhe futeshin në magazinën ku kanabisi bëhej gati për t’u trafikuar. Sipas banorëve, në këtë magazinë punonin për çdo ditë rreth 30 punëtorë për të pastruar bohçet e kanabisit. Magazina ruhej natë ditë me roje të armatosur dhe policia ka patur dijeni për këtë magazinë.
Burime nga Prokuroria e Matit bëjnë të ditur se, një sasi e drogës së grumbulluar në magazinë është transportuar drejt Tiranës ose Durrësit, pasi në magazinë kanë qenë 5 ton drogë, ndërsa policia ka sekuestruar vetëm 3 ton. Prokurorët e çështjes mbërritën të premten në fshatin Rukaj në vendin e quajtur Përroi i Kurvajës, në vijim të hetimeve.

2 ton janë transportuar drejt Tiranës ose Durrësit

Hetuesit bëjnë të ditur se, gjatë operacionit u zbuluan 3 tonë kanabis sativa, por sasia e ndodhur në katër parcelat e para ka qenë mbi 5 tonë. Prokuroria e Matit ka dyshime se, lënda narkotike është transportuar drejt Tiranës ose Durrësit me kamionçinën që u gjet të enjten. “Një sasi tjetër lënde narkotike është transportuar me kamionçinën drejt Tiranës ose Durrësit”, pohuan zyrtarë të Prokurorisë Mat.
Organi i akuzës ka dyshime të forta se, policia ka pasur informacion për këto parcela, pasi kultivimi ka nisur gjashtë muaj më parë dhe parcelat shiheshin me sy të lirë nga larg, mbi dy kilometra. “Policia e ka pasur për detyrë të këqyrte gjithë territorin e rrethit. Aty kanë punuar mbi 30 veta për gjysmë viti. Bimët e shumta narkotike janë pikasur edhe nga banorët e fshatrave Rremull, Rukaj, Bruç, Urakë e Kodër Laç. Kohët e fundit banorët e fshatrave mbi Përroin e Kurvajës kishin njoftuar policinë, se era e rëndë ishte shqetësuese, por policia nuk ka ndërhyrë”, thanë burime të Prokurorisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, grupi i organizuar kriminal për kultivimin e drogës në Mat është i shtrirë dhe në rrethe të tjera të vendit.
Banorë të fshatit Rukaj shprehen se, një ditë para fillimit të operacionit “dikush” ka njoftuar kultivuesit se duhej të merrnin masa për largimin e bimëve narkotike. Kjo ka bërë që trafikantët të braktisin magazinën me kanabis. Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat saktësojnë, se puna për gjetjen dhe sekuestrimin e bimëve narkotike do të vijojë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Njësisë Administrative Rukaj, pasi ka informacion se në këtë zonë ka parcela të tjera me kanabis.

Zbulimi i parcelave me drogë

Parcelat me drogë janë evidentuar nga SHISH, i cili pak kohë më parë ka informuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi hartën e kanabisit në Shqipëri dhe kultivuesit apo zyrtarët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Bëhet e ditur se, hetuesit kanë zhvilluar 5 muaj hetime dhe përgjime për të zbuluar këtë aktivitet kriminal, për të identifikuar trafikantët kultivues dhe pronarët e tokave ku është mbjellë kanabisi. Të gjithë janë të identifikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia u njoftua ditët e fundit para se të kryhej aksioni antidrogë, për shkak se punonjës policie rezulton që të jenë pronarët e tokave që trafikantët kanë marrë me qira.
Informacioni se në këtë zonë kultivohej kanabis kishte mbërritur në polici prej disa muajsh, por policia nuk ka ndërhyrë. Ky fakt përforcon bindjen e prokurorëve se, trafikantët kanë patur lidhje me zyrtarët e policisë për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit. Droga mbillej masivisht në këtë fshat dhe magazina ku u gjetën 3 ton shërbente si hambar për ta mbledhur, tharë dhe më pas shitur të gjithë sasinë që korrej. Grupi hetimor ka identifikuar disa persona, të cilët janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në këtë zonë dhe po punohet për mbledhjen e provave për t’i arrestuar më pas. Ndonëse Prokuroria bëri të ditur se në këtë trafik droge janë përfshirë zyrtarë të Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mohoi që të ishin shpallur në kërkim punonjës policie apo të administratës lokale.

R.POLISI

Artikulli paraprakPseudonimi i Putin në KGB “Bishti Cigares”
Artikulli tjetërSi përfundoi Italia nga kumbarët e plehrave