Drejtuesja e Aleancës kundër Importit të Plehrave, Kozara Kati, ka komentuar deklaratën e bërë mbrëmjes së premte nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Duke shprehur kundërshtinë e saj për faktin se ambasada amerikane e konsideroi protestën si organizim të opozitës dhe jo të AKIP, Kati ka thënë se do të kërkojë takim me ambasadorin Donald Lu.
“Do të kërkojmë takim dhe do i kthejmë pas dekoratën që na kanë dhënë”, tha Kati për “Newsbomb”.
Kozara Kati i referohet çmimit që paraardhësi i Lu, Aleksandër Arvizu i dha AKIP në vitin 2013, për kundërshtimin e të njëjtës çështje, atë të importit të plehrave.
“Më 31 korrik, ambasadori Arvizu i dorëzoi Aleancës kundër Importit të Plehrave (AKIP), çmimin ‘Kampion i ACT Now!’ për muajin korrik, gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambasadën amerikane. Ambasadori përgëzoi Aleancën për angazhimin e saj civil të mirorganizuar, i cili mblodhi firmat e më shumë se 60,000 shqiptarëve në mbështetje të referendumit për të ndaluar importin e mbeturinave. Referendumi i 23 dhjetorit do të jetë i pari referendum në historinë e Shqipërisë që është nisur nga qytetarët shqiptarë. Udhëheqësit e grupit ishin prezent në ambasadë për ceremoninë, gjatë së cilës falënderuan stafin e saj për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve civile, të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve”, thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane të publikuar tri vite më parë.