Pronarët e tokës kundër Bolinos: Kishim rënë dakord për ta dhuruar për shkollë, na u mohua e drejta e parablerjes

Pronarët e tokës që iu dha Karlo Bolinos me kontratë një euro kanë deklaruar se do të ndjekin çështjen në gjykatë. Sipas tyre, me Bashkinë kishin rënë dakord për ta dhuruar sipërfaqen për tu ndërtuar një shkollë për komunitetin. Duke e cilësuar një metodë fashiste, ata nënvizojnë se ligji u njeh të drejtën e parablerjes, gjë që nuk u është dhënë.

Kjo pronë prej pothuajse 5000 metrash i është dhënë Karlo Bolinos për 1 euro prej qeverisë shqiptare. Por nuk janë vetëm banorët që shprehen të zhgënjyer për këtë veprim, pasi për ta do të ishte më mirë ndërtimi i ambienteve të shërbimit.

“Lagje e re dhe o burra pallate dhe asnjë objekt për kulturë apo arsim.”

“Lagjia është shumë e madhe, të bëhet qendër shëndetësore se nuk shkojnë të gjithë banorët te “21”, 75 mijë banorë. Unë duhet të shkoj te minibashkia te ish-uzina mekanike për një certifikatë ndërsa tjetri duhet të vijë nga fundi i Fushës së Aviacionit.”

“Më mirë të ndërtohet një shkollë që do ti vlejë gjithë komunitetit sesa një pallat që do ti zërë më shumë frymën vendit.”

Tashmë janë dhe pronarët, familjet Llagami dhe Begeja, që reagojnë kundër vendimit. Edhe pse kanë të drejtën e parablerjes, veprim që lind me njohjen e pronësisë, ata shprehen se më herët kishin vendosur t’ia kalonin pushtetit vendor me qëllim ndërtimin e një shkolle.

Xhimi Begeja: Është një pronë e kthyer pjesërisht nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe është për tu kompensuar pjesa tjetër nga kjo. Duke qenë se brenda pronës ishte një objekt i bashkisë që mendohej të kthehej në një shkollë ne pranuam marrëveshjen me bashkinë që prona të bëhej një gjimnaz.

Metodën që po përdoret për marrjen e kësaj prone, Xhimi Begeja e quan “metodë fashiste”.

Xhimi Begeja: Si qytetar italian, një intelektual, një njeri publik dhe të sillte në formë fashiste, unë e quaj “fashizëm intelektual”.

Jo vetëm metodë e pabazuar në ligj, por Xhimi Begeja thekson se në çdo ligj dhe procedurë, familjet Llagami dhe Begeja duhet të ishin të parët që duhet të njoftoheshin nga shteti për të drejtën e parablerjes.

Xhimi Begeja: E drejta e parablerjes është e pronarëve të truallit, ne e gëzojmë me ligj të drejtën e parablerjes. Edhe nëqëoftëse është një familje tjetër që nuk janë të interesuar për këtë punë, edhe komshi, por nëse prona shërben për një qëllim, ne kemi të drejtë ta marrim edhe pronën ngjitur kufijve tonë.

Por edhe pse sot objekti është prishur me vendim të Këshillit të Ministrave, trashëgimtari Xhimi Begeja premton që kjo çështje do të ndiqet jo vetëm dyerve të gjykatave.

Xhimi Begeja: Ne si familje këtë çështje do ta ndjekim me të drejtë të Zotit por edhe me ligjet e shtetit.

Për këtë pronë, në fakt janë marrë dy vendime, i pari në tetor të vitit të shkuar dhe më pas dhe në shkurt 2020.

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Socialistët i mbyllin derën diskutimeve për koalicionet
Artikulli tjetërQytetarët nuk kanë ujë në shtëpi, nxënësit me 4 turne, tarifat janë më të shtrenjtat, por Rama dhe Veliaj nuk duan t’ia dinë…