Berisha në superformë

Te Atalanta është momenti i Etrit Berishës. Portieri shqiptar ishte padiskutim një nga lojtarët më të mirë në fushë në fitoren 1-0 të skuadrës bergamaske ndaj Napolit në stadiumin “Atleti Azurri d’Italia”. Berisha ishte thjeshtë fantastik, teksa me pritjet e tij evitoi disa gola të sigurtë, duke ndihmuar skuadrën e Gasperinit të merrte një tre pikësh shumë të rëndësishëm përballë një prej skuadrave më të mira të Serisë A. Petagna me golin e tij në fillimin e sfidës ishte ai që i dha avantazhin Atalantës, por në krahun tjetër, skuadra bergamaske kishte nevojë për disa superpritje të Etrit Berishës që ky rezultat të mos ndryshonte.
Në ndeshjen e tij të 4-t si titullar radhazi, Etrit Berisha u vlerësua me notën 7,5 nga mediat italiane. 27-vjeçari shqiptar iu përgjigj të gjitha aksioneve të rrezikshme të Napolit me një teknikë të pabesueshme dhe me reflekset dhe sigurinë e një portieri të madh shkruan Tuttomercatoweb, në analizën që i bën paraqitjes së gardianit të kombëtares kuqezi në sfidën ndaj Napolit. Në minutën 22-t, Berisha reagoi në mënyrë të shkëlqyer ndaj Callejon. Në të 29-ën portieri shqiptar ishte thjeshtë fenomenal, duke evituar një gol të sigurtë pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Ghoulam, ndërkohë që po aq decizive ishte edhe pritja e tij ndaj Milik në minutat e fundit të pjesës së parë.
Në konferencën për shtyp në përfundim të ndeshjes, trajneri Gian Piero Gasperini vlerësoi portierin shqiptar për formën e shkëlqyer, duke deklaruar se pa Berishën mes shtyllave, Atalanta nuk do të kishte dalë me tre pikë në takimin ndaj Napolit. Falë paraqitjeve të tij në sfidat e fundit ish-portieri i Lazios në vetëm pak javë është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te Atalanta, duke ulur përfundimisht në stol Marco Sportiellon. Tashmë të gjithë shpresojnë që portieri 27-vjeçar të shfaqë të njëjtën formë të shkëlqyer si ndaj Napolit edhe në dy sfidat e radhës ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës me Shqipërinë.
Tjetër humbje për Interin, e mund Roma 2-1
Roma fiton duelin direkt me Interin, për të mbajtur hapin e kryesuesve. Skuadra e Spalleti-t fitoi 2-1 ndaj zikaltërve, në një duel emocionues në “Olimpico”, ku përveç tre golave u regjistruan edhe dy shtylla dhe dhjetëra raste të pastra për shënim. Roma gjeti avantazhin e shpejtë, pas vetëm 5 minutave lojë me Edin Xheko, që shfrytëzoi asistin e Peres.
Interi provoi të reagonte me Banegan, tentativa e të cilit nga 25 metra mposhti Szczesny-n, por u përplas në shtyllë. Roma u kundërpërgjigj me Salah, që u shkëput nga e djathta, megjithatë i vetëm me Handanoviç, egjiptiani goditi shtyllën. Fundi i pjesës së parë foli vetëm për Interin, që provoi me të gjitha mënyrat, por pa mundur të gjente golin e barazimit. Pas goditjes akrobatike, në të 42-ën Candreva detyroi portierin Szczesny të kryente një pritje të shkëlqyer. Ekipet shkuan në pushimin ndërmjet pjesëve pas tentativës së Perisic, që ishte e lehtë dhe qëndrore.
Në fraksionin e dytë të lojës, Interi u shfaq më kërkues drejt portës së verdhekuqve dhe pas tentativave me Perisic dhe Banega, zikaltërit gjetën golin e barazimit, pikërisht me argjentinasin në minutën e 72-të. Pas kombinimit me Icardin, Banega bëri gjithçka mirë në zonë, duke evituar ndërhyrjen e De Rossit dhe me të majtën mposhti Szczesny-n. Festa e Interit zgjati vetëm 4 minuta, pasi Roma kaloi sërish në epërsi me Manolas, goditja me kokë e të cilit u devijua nga Icardi dhe nxorri jashtë loje Handanoviç.

Artikulli paraprakAftësia për të ricikluar problemet
Artikulli tjetërDe Bur: Nuk e merituam humbjen!