Kanë qenë të shumta denoncimet e qytetaravë javët e fundit lidhur me transferimet e vendbanimeve në qytete të ndryshme.
Sipas denoncimeve, pas ndryshimit të adresës ata figurojnë në regjistrin e Gjendjes Civile si banorë të qyteteve të tjera edhe pse jetojnë në Tiranë.
Për këtë veprim të paligjshëm, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreun e Gjendjes Civile, Bledar Doracajn.
Rasti i fundit është edhe analisti Preç Zogaj, i cili ka denoncuar se është transferuar nga Tirana, në Lezhë.
Në emisionin “Java”, Zogaj thotë se është i vetmi nga familja që është transferuar në Lezhë, ndërsa thekson se prej rreth 30 vitesh voton në Tiranë.
“Është bërë një lëmsh i madh me këtë çështjen e listave zgjedhore. Madje sot, im bir duke kërkuar për të regjistruar një patentë ka konstatuar se babain e tij e kanë transferuar në Lezhë. Unë vërtetë jam nga Lezha, por ka 25-30 vjet që votoj në Tiranë dhe nuk jam informuar. Çfarë ndodh me këto lista?”, deklaroi Zogaj.