Veliaj në dasmën e djalit të Prokurorit që po e heton për falsifikim

Petrit Fusha, kreu i Prokurorisë së Tiranës, kurorëzoi mbrëmë në martesë djalin e tij. Ceremonia u zhvillua në një lokal luksoz në Vorë. Mes të ftuarve ishin të gjithë shefat e Prokurorisë, përfshirë edhe kryeprokurorin Adriatik Llalla. Por ajo që ra në sy ishte prezenca e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri celebrimin e çiftit në lokal. Dhe kjo bie në sy për faktin se Prokuroria e Tiranës, që drejtohet nga Petrit Fusha, ka në dorë 4 procedime penale për Erion Veliajn.
Veliaj po hetohet për falsifikim të gjobës që i vuri Partisë Demokratike për protestën e 8 dhjetorit. Hetimet kanë provuar se shkrimi në gjobë nuk është i oficerit që kishte firmosur gjobën. Kjo gjobë tashmë është rrëzuar edhe në Gjykatën Administrative. Prokuroria e Tiranës po e heton Veliajn edhe për ndërtimin te Parku i Liqenit. Ai është paditur penalisht për shpërdorim detyre.
Një tjetër kallëzim ndaj tij është bërë për protestën e zhvilluar para Gjykatës Administrative. Veliaj dërgoi para dyerve të gjykatës militantë e punonjës të bashkisë për t’i kërkuar gjykatës që të mos lejonte ndërtimet e një kompleksi pallatesh pranë digës së Liqenit Artificial. Ai po hetohet edhe për rastin e vdekjes së 17–vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, që administrohet nga Bashkia dhe për marrëveshjet me kompaninë “3R” që operonte në këtë landfill, me punonjës minorenë e të pasiguruar.
Në një kohë kur Prokuroria e Tiranës ka në dorë 4 hetime penale të tij, shkuarja e Veliajt në dasmën e djalit të kryeprokurorit Fusha dhe celebrimi i martesës së djalit të tij në orën 22:00, e komprometon sërish detyrën e tij si kryebashkiak. Më shumë se për të celebruar një martesë, pjesëmarrja e tij në ceremoni duket e lidhur me 4 dosjet hetimore.

Artikulli paraprakArben Ndoka, 10 ha kanabis në Skuraj me lejen e Tahirit
Artikulli tjetërMediat italiane: Shqipëria, një copë Kolumbie me përfitime milionash eurosh për mafian