Shqiptarët në vështirësi ekonomike dhe politike

– Ambasador Hill! Ju ishit diplomati i parë amerikan, që erdhët në fillim të viteve ‘90 në Shqipëri, e cila për shumë dekada nuk kishte lidhje me SHBA dhe e kishte deklaruar atë si armikun më të madh. A mund të ndani me ne çastet e para kur erdhët këtu? Si ishte të punoje në një vend të sapodalë nga diktatura komuniste, vendi më i izoluar, njëlloj si Koreja e Veriut, që ju gjithashtu e njihni mirë?
Viti 1991 ishte shumë i rëndësishëm, sepse nga fillimi i atij viti SHBA dhe Shqipëria rifilluan marrëdhëniet diplomatike, të ndëprera qysh nga viti 1946. SHBA sollën një ekip për të vëzhguar zgjedhjet në fund të marsit 1991 dhe më vonë unë isha përfaqësuesi i parë, që nisa punën dhe hapa ambasadën, në pritje të ambasadorit të parë Bill Rajerson. Ishte një vit i vrullshëm, kur ndodhën shumë gjëra. Por ai ishte një vit shumë i veçantë dhe i vështirë për vetë shqiptarët. Në fundin e një diktature, këtu ishin gjithë problemet: nga mungesa e ushqimit dhe e shërbimeve, uji dhe energjia. Shqiptarët ndeshnin shumë probleme çdo ditë. Ne u përpoqëm të ndihmonim, por detyra kryesore ishte ta bënim jetën e tyre më të mirë duke ndihmuar që ata të kapërcenin tranzicionin shumë të vështirë. Unë kurrë nuk u ndjeva në rrezik dhe kisha një mbështetje të jashtëzakonshme nga shqiptarët dhe partitë politike. Kishte një konsensus në Shqipëri, madje edhe mes një pjese të ish-komunistëve, se ishte koha të ecej përpara dhe të bashkëpunohej me SHBA. Pata një mbështetje të madhe këtu dhe shqiptarët më bënë të ndjehesha si në shtëpi.
– Si e gjetët Shqipërinë pas 25 vjetësh?
Kthimi këtu është i jashtëzakonshëm. Nuk kisha qenë prej vitesh. Herën e fundit isha nga mesi i viteve ‘90. Kaloi një kohë e gjatë, mbi 20 vjet. Tani sheh ndërtime, sheh trafikun dhe kujton se më 1991 askush nuk kishte makinë dhe vetëm nga prilli 1991 u shfaqën disa makina. Tirana është tani plot me makina në trafik, jeta e njerëzve ka ndryshuar; ata janë të zënë dhe nxitojnë në angazhimet e tyre. Kjo tregon se vendi po lëviz. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka një miqësi dhe aleancë të ngushtë me SHBA. Këto janë ndryshime të rëndësishme. Shqipëria ka përparuar drejt BE-së. Ka shumë përparim dhe po bëhet një vend europian, sepse i tillë ka qenë për shumë shekuj. I kuptoj problemet që ndeshin njerëzit çdo ditë, i di vështirësitë ekonomike dhe politike, por nëse çdo individ ndalet një çast dhe sheh prapa, do ta kuptojë se shqiptarët kanë bërë një rrugë të gjatë.
– Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE. Por tranzicioni i saj ka qenë i dhembshëm dhe madje po vazhdon ende. A mendoni që Shqipëria ka humbur shumë kohë?
Nëse shihni pas në histori, 25 vjet nuk është një kohë e gjatë dhe megjithatë ka patur shumë zhvillime. Shqetësimi se po humbet koha ia ka lënë vendin detyrave për t’u integruar në BE, planeve se si shqiptarët t’i bëjnë punët më mirë. Edhe me fqinjët kanë ngritur marrëdhënie të mira në kaq vite dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ishte shumë e vështirë 20 vjet më parë të përfytyrohej kjo. A mund të ishin përdorur këto 25 vjet në mënyrë më efikase për zhvillimin? Sigurisht, që po. Por mendoj se është bërë më e mira, që mund të bëhej në kaq vite.
– Gjatë gjithë këtyre viteve, elita politike nuk ka ndryshuar shumë. Kjo duket në të njëjtat retorika të ashpra, që vazhdojnë të jenë shumë të forta dhe që shpesh dalin jashtë kontrollit. Çfarë duhet të bëjë një vend për të ndryshuar kulturën politike?
Është e këndshme, që mua, si amerikan të më pyesin mbi debatet e ashpra politike në Shqipëri, sepse ju e dini se çfarë po ndodh në SHBA së fundi me fushatën tonë zgjedhore. Ajo është më e ashpra që kam parë në të gjithë jetën time. Jam i kënaqur që nëna ime nuk i dëgjon ato lloj gjërash, që po thuhen në atë fushatë çdo ditë, sidomos ato që thotë kandidati Trump. Pra, nuk jam në kushtet e duhura për t’u dhënë shqiptarëve një leksion për klimën e ashpër politike. Shqipëria ka shumë për të arritur. Ky 25-vjeçar i parë është një fillim i mirë. Shqipëria ka bërë shumë. Por për ta mbyllur këtë proces, duhet një respekt i dyanshëm mes forcave politike. Asnjëri nuk duhet ta shohë çështjen se sa ka pushtet më shumë se tjetri. Por secila palë duhet ta mendojë mirë se ka një mision historik, që ta përmbushë këtë detyrë. Kjo është e vërtetë edhe për politikanët shqiptarë, për ata amerikanë dhe për çdo politikan në botë. Koha është shumë e shkurtër. Shqipëria duhet të lëvizë përpara dhe palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin në BE; të bëhen gati për fazën tjetër të historisë së vendit, sepse këtë kërkon populli. Në këto kohë, kudo në botë, përfshirë edhe SHBA, ka një reduktim të ndjeshëm të atmosferës së mirë politike dhe të gjithë po kërkojnë që kjo të përmirësohet. Shqiptarët janë të shqetësuar dhe kërkojnë rregullimin e shumë gabimeve të kaluara. Për këtë përmirësim ka nevojë Shqipëria, sepse misioni i saj historik nuk ka përfunduar ende. Politikanët duhet ta kuptojnë këtë dhe të punojnë më shumë.
– SHBA dhe BE, veçanërisht SHBA përmes ambasadorit të vet këtu, po japin një shtytje të madhe që Shqipëria të miratojë Reformën në Drejtësi. Ndërsa qytetarët mezi po e presin këtë reformë, një pjesë e politikanëve kanë shfaqur hapur mungesën e dëshirës për ta kaluar këtë reformë. Sa e rrezikojnë reformën këto qëndrime?
Unë kam qenë më parë ambasador këtu. Ambasador Lu është tani ambasador dhe kjo është një pyetje për të. BE ka një listë me çështje që Shqipëria duhet të arrijë para se të integrohet. Një prej tyre është reforma në sistemin gjyqësor. Kjo është një çështje që populli shqiptar e kupton shumë mirë dhe politikanët duhet ta kuptojnë. Të shohin listën dhe të përmbushin ato detyra. Politikanët shqiptarë, edhe pse e kanë të vështirë të punojnë së bashku këto kohë, nuk kam asnjë dyshim se do ta kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë për t’u afruar në BE. Por nuk kam qenë këtu për 20 vjet dhe nuk mund të them shumë për çështje të brendshme si Reforma në Drejtësi.
– Ju keni qenë pjesëmarrës kryesor në disa ngjarje me rëndësi në Ballkan. Si e shikoni Ballkanin sot? A është akoma ky rajon në një proces të pambaruar?
Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët; që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqetësimi kryesor për mua ishte të arrihej mbizotërimi i ligjit, ngritja e institucioneve demokratike, të cilat ishte shumë vështirë të krijoheshin. Tani që pashë përparimin e Shqipërisë jam shumë i kënaqur me këtë. Në Kosovë ka ende shumë për të bërë. Jam i kënaqur me disa përmirësime në Bosnje. Ky është një proces i vështirë, por mbi të gjitha në Ballkan dhuna u la mënjanë dhe nuk ka luftëra. Rajoni ka sfida të mëdha, por mendoj se Ballkani është një projekt i papërfunduar dhe si i tillë ka nevojë për më shumë vëmendje jo vetëm nga njerëzit e rajonit, por edhe nga SHBA dhe nga BE. Kjo është pjesë e Europës, nuk mund të lihet jashtë saj, por duhet përfshirë në të. Shumë përparim u bë, por është e papërfunduar.
Maqedonia është tani në një situatë veçanërisht të vështirë e delikate. Ka probleme me fqinjët, që e shohin si një çështje. Nëse shihni historinë e Maqedonisë ajo ka qenë vazhdimisht një çështje, por tani ajo pyetje e ka një përgjigje: Maqedonia është një shtet tani dhe duhet të punojë shumë fort për të zgjidhur problemet e brendshme.
– Më lejoni t’ju drejtoj një pyetje për Rusinë. A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë në Ballkan dhe për përpjekjet e saj për të ndërhyrë këtu?
Rusia nuk ka vepruar mirë vitet e fundit. Jam shumë i shqetësuar për veprimet e Rusisë në Ukrainë, në Ballkan dhe në vende të tjera si Siria. Shqetësimi është se Rusia synon të jetë një nga fuqitë e mëdha; ne duhet të punojmë me Rusinë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po ashtu. Ende nuk kemi gjetur ndonjë shembull bashkëpunimi deri sot me Rusinë. Ja pse shqetësohemi për këtë. Amerikanët po përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë, sekretari Xhon Kerry punon me ta çdo ditë në lidhje me Sirinë. Po mundohemi të ndreqim disa probleme, por është shumë e vështirë. Mendoj se sjelljet e Rusisë së jashtmi reflektojnë problemet, që ajo ka nga brenda. Unë shoh një shtet rus që ende përpiqet të përcaktojë vetveten për 20 vjet, që nga fundi i Bashkimit Sovjetik.
Ndërhyrjet në Ballkan Rusia i ka bërë edhe më parë. Unë nuk mendoj që është në interesin e Rusisë që të jetë agresive me këto vende, por shohim një Rusi që përpiqet të ndërtojë marrëdhënie me ta. Mendoj se vendet e Ballkanit kanë mjaft marrëdhënie me këdo, por çështja është tek lloji i marrëdhënieve, që ato kanë nevojë. Atyre u nevojiten marrëdhënie që forcojnë lidhjet institucionale dhe demokratike, por në disa raste rusët e kanë të vështirë t’i kujtojnë këto.
– Dhe një pyetje të fundit, si i vlerësoni marrëdhëniet midis SHBA dhe Shqipërisë sot?
Marrëdhëniet tona janë shumë të mira, vërtet të shkëlqyera. Vizita e sekretarit Kerry tregoi forcimin e këtyre marrëdhënieve mes shteteve dhe popujve dhe rolin kryesor, që luajnë shqiptarët dhe amerikanët. A mundet që këto marrëdhënie të jenë më të mira? Po. Mundet. Dëshiroj të shoh këtu më shumë investime amerikane. Ne kemi disa gjeneralë këtu, sepse Shqipëria po përmbush përgjegjësitë e saj si anëtare e NATO-s. Por unë dëshiroj të shoh edhe disa gjeneralë të tjerë si General Motors, General Mills etj.
Duke nisur nga fillimi i viteve ‘90, nevojiten më shumë investime dhe më shumë lidhje në ekonomi. Por ne kemi ndarë vlera, interesa dhe respekt, sepse ne jemi në një projekt historik, që nisi 25 vjet më parë; për të sjellë plotësisht Shqipërinë dhe fqinjët e saj në rrymën euroatlantike. Shumë përparim u bë, dhe nuk duhet të dekurajohemi për çfarë është bërë. Përkundrazi, ato që janë arritur duhet të na shtojnë kurajon dhe këtë inkurajim duhet ta përdorim për të ardhmen.

Marrë nga Zëri i Amerikës

Artikulli paraprakNuk zhdoganohen 9 mijë ton naftë në Shtator
Artikulli tjetërNishani për ligjin e plehrave: Prevalon interesi i qytetarëve