Rreziku operacional, një nga pesë risqet kryesore që kanosin aktivitetin e bankave, është rritur vitin e fundit për shkak të grabitjeve të vlerave monetare gjatë transportit. Banka e Shqipërisë, duke analizuar stabilitetin financiar të sektorit bankar, në raportin më të fundit është shprehur se, ngjarjet e periudhës ku u cenua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare, tregojnë për domosdoshmërinë e forcimit të procedurave që zbatojnë bankat për administrimin e rrezikut operacional. “Këtu duhet të përfshihet jo vetëm siguria fizike, por edhe ajo elektronike e informatike, të cilat janë me rëndësi kritike për zhvillimin e një veprimtarie bankare të sigurt. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë nxit bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për zbardhjen e rasteve konkrete dhe marrjen e masave për eliminimin e mangësive”, shprehet Banka e Shqipërisë.
Autoriteti Qendror Bankar thotë se, është e nevojshme të ketë një qasje tërësore dhe të mirëstrukturuar për administrimin e rrezikut operacional. Më në përgjithësi, për administrimin e rrezikut operacional, Banka e Shqipërisë thekson nevojën për një qasje tërësore, ku vlerësimi i rrezikut operacional të mbështetet mbi ndikimin që ai sjell në reputacionin, në strategjinë dhe në financat e institucionit, si edhe mbi një analizë të plotë të mundësisë së ndodhjes së rrezikut. Mbi bazën e tyre duhet të ngrihet dhe të zbatohet sistemi i kontrollit, ku cilësia e procedurave, përputhshmëria me to dhe përshtatshmëria e së gjithë infrastrukturës mbështetëse të procesit, të bëhet pjesë e testimit të herëpashershëm dhe të vlerësimit të rregullt nga strukturat e posaçme të bankave.
Banka e Shqipërisë thekson se do të forcojë veprimtarinë e saj mbikëqyrëse dhe rregullative, në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të sistemeve të administrimit të rrezikut operacional nga ana e bankave, mes të tjerash, edhe duke rritur peshën që ka ky proces në vlerësimin e përgjithshëm të bankave dhe posaçërisht të strukturave drejtuese të tyre.