Dështon reforma territoriale, 60 njësitë e reja shpenzuan 35% më shumë për paga se 360 njësitë

Reforma e re territoriale që reduktoi numrin e njësive vendore nga rreth 360 në vetëm 60 njësi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për të kursyer rreth 60 milionë euro në formën e shpenzimeve për pagesat e personelit, por përkundrazi i ka rritur edhe më tej ato.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë të vitit, njësitë vendore rritën shpenzimet për pagat me 35 për qind. Nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Në të njëjtën masë u rritën edhe shpenzimet për sigurime shoqërore, teksa shihet se fondet e dedikuara për infrastrukturën janë ulur ndjeshëm.
Fondet për shpenzimet kapitale ishin 41 për qind më të ulëta se një vit më parë. Në gjashtëmujorin e parë 2016, njësitë e reja vendore alokuan 3.4 miliardë lekë në formën e shpenzimeve kapitale. Kjo shumë, një vit më parë në këtë periudhë, ishte 5.9 miliardë lekë. Por shpenzimet e larta për investime vitin e kaluar arsyetohen edhe me zgjedhjet vendore.
Qeveria aktuale aplikoi një nga reformat më të mëdha në vend për ndarjen territoriale gjatë vitit të kaluar me argumentin kryesor, përdorimin me eficiencë të fondeve publike. Me përqendrimin e komunave në bashkitë e mëdha, Ministria e Financave kishte përllogaritur të kursente së paku 60 milionë euro nga shkurtimi i personelit, të cilat do të rishpërndaheshin për investime, në shkolla, rrugë etj.
Por tani kur ka kaluar gati një vit nga zbatimi i reformës së re, pritshmëritë kanë shkuar në të kundërtën. Bashkitë e reja kanë fryrë edhe më tej stafet, duke çuar 48 për qind të fondeve në dispozicion për rroga, teksa shihet se shpenzimet për shërbimet bazë janë ulur dukshëm.
Njësitë e reja vendore në vitin e parë të qeverisjes së tyre nuk kanë qenë të suksesshme në pastrimin e territoreve. Disa zona turistike u tejmbushën me plehra, duke qenë jashtë syve të zyrave bashkiake.

Në 51 bashki të vendit janë pushuar nga puna 3059 punonjës

Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin për largimet e shumta të punonjësve në bashkitë e vendit. Përmes një raporti të hartuar pas hyrjes në fuqi të reformës administrative territoriale, i cili do t’i dorëzohet parlamentit, Igli Totozani nënvizon se në 51 bashki janë larguar nga puna 3059 punonjës. “ Në 51 Bashki në vend me struktura tranzitore, janë larguar në total 3059 punonjës, prej të cilëve 319 janë nëpunës civil ose 11% e punonjësve e totalit të punonjësve të larguar. Kjo situatë krijon paqëndrueshmëri për administratën e pushtetit vendor, duke larguar punonjës të trajnuar dhe të specializuar në funksionet e tyre, gjë që ndikon në cilësinë e shërbimeve për qytetarët” është shprehur Totozani.
Por ajo që shqetëson me shumë Avokatin e Popullit është fakti se pjesa më e madhe e tyre janë larguar padrejtësisht dhe për pasojë kanë fituar gjyqet me bashkitë. Kjo ka krijuar problem në buxhetin e bashkive. “ Vetëm për Bashkinë Tropojë kostoja e punonjësve të cilët janë larguar nga puna  është në shumën prej 6.000.000 lekë (gjashtë milion lekë) dhe deri në miratimin e strukturave përfundimtare është parashikuar një kosto që mund të arrijë shumën prej 11.000.000 (njëmbëdhjetë milion Lekë), ndërkohë  që  mungojnë të dhëna nga njësitë e tjera të pushtetit vendor” shprehet ai. Bashkia Fier rezulton me numrin më të lartë të punonjësve të larguar 350 të tillë, e ndjekur nga Bashkia Tiranë me 248 të larguar. Në raport nënvizohet po ashtu se 10 bashki nuk kanë bashkëpunuar me avokatin e popullit për hartimin e raportit.

Artikulli paraprakJahmir Hyka: Nuk ka më ndeshje të lehta
Artikulli tjetërGrabitjet rrisin rrezikun operacional të bankave më 2016