Gjatë 9 muajve të këtij viti, janë gjithsej rreth 4700 biznese që janë çregjistruar në të gjithë vendin, sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i tyre është rritur me 70%.
Pjesa më e madhe e bizneseve që kanë arritur të çregjistrohen janë në Tiranë, me rreth 2000 të tilla. Rrethi i dytë me më shumë biznese të çregjistruara është Korça, me 466 të tilla dhe pothuajse katërfishim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. I treti është Fieri, i ndjekur nga Elbasani e Vlora, që kanë parë të gjithë dyfishime të çregjistrimeve. Në total, bizneset e reja të regjistruara për 9-mujorin ishin 18 mijë, me një rënie të ndjeshme prej 42% në raport me janar-shtator 2015. Por, kjo lidhet me fluksin e lartë të regjistrimeve të reja në gusht shtator 2015, në prag të fillimit të aksionit antiinformalitet. Në kryeqytet është hapur numri më i madh i bizneseve të reja, me 44% të totalit, apo rreth 8000 të tilla. Qyteti i dytë, me më shumë biznese të reja të regjistruara, është Durrësi, me rreth 2200 të tilla. Sipas të dhënave nga QKB, me ndryshimet e fundit ligjore të ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është bërë i mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat fizikë dhe për subjektet e tjera, në rastet kur ligji nuk parashikon procedura likuidimi në lidhje me to. Tashmë, çregjistrimi për personat fizikë bëhet pas 30 ditësh, nga data e aplikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Gjithashtu, me ndryshimet e fundit ligjore të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008 , “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është bërë i mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat juridikë, degët dhe zyrat përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta dhe për subjektet e tjera, për të cilat ligji parashikon procedura likuidimi. Tashmë, në rast të ndjekjes së procedurës së likuidimit, çregjistrimi bëhet brenda 90 ditëve, nga 120 ditë që ishte më parë.