Tregu i Kosovës është i monopolizuar; fuqinë në treg e bartin kompanitë private, që janë të lidhura më pushtetin në nivel qendror dhe lokal, por edhe me partitë politike; tenderët publik kanë fuqizuar veprimtarinë e këtyre kompanive, që dikur nuk kanë ekzistuar apo kanë qenë biznese të vogla, thonë organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë. Fenomenin e monopolizimit të tregut, ndërkaq, e ka pranuar edhe vetë kryeministri,Isa Mustafa, i cili në njërën nga mbledhjet e qeverisë, ditë më parë, ka thënë se “ka përshtypjen që firma të caktuara e kanë monopolizuar tregun, dhe se një numër i vogël i kompanive po marrin shumë tenderë, ndërkohë të tjerat jo “
Se në Kosovë ka kompani që dominojnë në treg e thotë edhe Artan Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”. Ai, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë dhjetëra kompani, kryesisht që merren më veprimtari të ndërtimit të objekteve dhe infrastrukturës rrugore, që fillimisht janë krijuar para pak vitesh dhe tashmë veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me kapital milionësh.
Krejt këto kompani, sipas tij, kanë lidhje me partitë politike, të cilat edhe financojnë fushatat e tyre për zgjedhje. “Problemi është se ato kompani kanë marrë aq shumë tenderë dhe kanë krijuar kapital të madh dhe në parim tash është shumë problem të heqin monopolin e atyre kompanive, të cilat po përmbysin në një farë mënyre komplet procesin e tenderimit publik. Për shkak se hyjnë me çmime më të ulëta, kanë kapital më të madh dhe shkelin kompanitë tjera, kurse edhe mjetet tashme i kanë më të sofistikuara se sa kompanitë tjera”, thotë Demhasaj
Demhasaj, ndërkaq, thotë se shumica e kompanive private janë krijuar në vitin 2008, ose kanë ndryshuar veprimtarinë e tyre, duke u përshtatur me punët e investimeve nga institucionet qeveritare. “Ndërsa disa kompani tjera që kanë qenë ekzistentenë atë kohë, në një mënyrë janë shuar, për shkak se kanë pasur të pamundur marrjen e tenderëve. Kjo është bërë për shkak se kompanitë e caktuara kanë pasur lidhje direkte me partitë politike”, thekson Demhasaj. Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, pranon se ka monopol në treg dhe këtë gjendje, thotë ai, qeveria aktuale e ka trashëguar nga qeveria e kaluar.
Megjithatë, ai shprehet se vetë fakti se ky fenomen është pranuar nga kryeministri, është një qasje e re, me të cilën do të merren autoritet kompetente. Gërxhaliu, beson se viteve të fundit, kjo dukuri është zvogëluar. “Është e vërtetë se në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të asaj që ka pasur monopole të ndryshme në shërbime, në projekte në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”. “Mirëpo, jemi dëshmitarë të asaj se gjërat kanë marrë kahjen e vet. Vitet 2015-2016 janë vite të dialogut dhe partneritetit publiko- privat dhe tashmë nuk mund të thuhet se nuk ka transparencë dhe dialog”,thotë Gërxhaliu.
Për t’u konsideruar një ndërmarrje monopoliste apo me pozitë dominuese duhet të ketë pjesëmarrje në tregun relevant në vlerë prej 25 për qind. Po ashtu, dy ose më shumë ndërmarrje mund të jenë në pozitë dominuese nëse, në raport me konkurrentët e tyre, veprojnë bashkërisht në treg. Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së tregut dhe për të ndaluar veprimet që çrregullojnë konkurrencën e lirë, në Kosovë vepron Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.