Ministria e Çështjeve Vendore sqaroi se shpenzimet për administratën e pushtetit vendor janë rritur pas reformës territoriale për shkak se janë transferuar së paku 8 mijë punonjës nga administrata e pushtetit qendror tek ajo e pushtetit lokal. Por ministria la të pasqaruar faktin se reforma territoriale nuk mundi të shkurtonte të paktën 25 mijë persona staf nga njësitë e komunave.
“Monitor” disponon planin që Ministria e Financave kishte bëri gati në vitin 2015 në të cilin parashikohej shkurtimi i 783 kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë me rroga së paku 30 për qind mbi mesataren e pagave në vend. Struktura e re parashikonte shkurtimin e 20 mijë vetave staf nga administrata e komunave dhe gjithashtu nuk do të paguheshin gjithsej 4 mijë këshilltarë.
Sipas planit të Ministrisë së Financave nga administrata e pushtetit vendor do të shkurtoheshin gjithsej rreth 25 mijë persona, me një vlerë monetare të kursyer 6 miliardë lekë.
Por tani kur reforma e ka kapërcyer vitin e parë me gjithë stafin e shtuar nga administrata qendrore prej 8000 personash, sërish administrata e pushtetit lokal do të kishte 17 mijë persona më pak e për rrjedhojë logjikisht do të kishte shpenzime më të ulëta.
Por sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë, shpenzimet vjetore për paga janë rritur me mbi 35% dhe shpenzimet kapitale janë ulur me 41%.
Fatlum Nurja, ekspert i decentralizimit të pushtetit lokal, tha se reforma e re territoriale kërkon staf menaxherial që të zbatohet me sukses. Ai u bëri thirrje partive politike që të kenë parasysh që reforma e re territoriale kërkon në krye të njësive të reja teknicienë dhe më pak persona politikë. Ai tha se, Bashkia e Korçës deri më tani është rast suksesi në zbatimin e reformës.
Burimet e “Monitor” nga Bashkia e Durrësit dhe ajo e Shkodrës pohuan se stafet janë njësoj sikur kanë qenë edhe më parë me gjithë edhe komunat. Madje në Bashkinë e Durrësit është bërë kërkesë për rritje stafi, por që nuk është miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Ekspertët vendorë shpjegojnë se, stafet e komunave janë shkrirë, por struktura e punonjësve nuk ka ndryshuar. Kjo do të thotë se në njësitë e mëdha, bashkitë i kanë zgjeruar më tej organikat në shumë raste.
Të njëjtët ekspertë pohojnë se reforma territoriale ka parime të shëndosha, por nuk po gjen zbatim në praktikë, pasi stafet e njësive vendore shkurtohen me vendime të Këshillit Bashkiak.
Por ndërkohë që stafi i vjetër është shkurtuar, bashkitë kanë punësuar staf të ri dhe po paguhen dy struktura njëkohësisht, pasi të shkarkuarit kanë fituar gjyqet.
Por teksa Ministria e Çështjeve Vendore thotë se ka transferuar pesë funksione që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e rrugëve rurale, me ujitjen dhe kullimin, shërbimin pyjor, arsimin parashkollor dhe shërbimin zjarrfikës, të gjitha së bashku këto funksione kanë ndikuar vetëm në rritjen e shpenzimeve për personelin dhe jo në rritjen e zërave të tjerë të shpenzimeve si ato kapitale dhe operative, të cilat janë me rënie pikiatë në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2015.
Reforma e re territoriale që reduktoi numrin e njësive vendore nga rreth 360 në vetëm 60 njësi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për të kursyer rreth 60 milionë euro në formën e shpenzimeve për pagesat e personelit, por përkundrazi i ka rritur edhe më tej ato.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë të vitit, njësitë vendore rritën shpenzimet për pagat me 35 për qind. Nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Në të njëjtën masë u rritën edhe shpenzimet për sigurime shoqërore, teksa shihet se fondet e dedikuara për infrastrukturën janë ulur ndjeshëm.