Sot në Vaduz, Lihtenshtejni dhe Shqipëria do të zhvillojnë përballjen e dytë mes tyre. Bëhet fjalë për një kundërshtar modest me të cilët kuqezinjtë janë ndeshur vetëm 1 herë në të kaluarën. Më 20 gusht të vitit 2008 Shqipëria mposhti 2-0 Lihtenshtejnin në “Qemal Stafa” në një sfidë miqësore që i shërbeu kombëtares për t’u përgatitur sa më mirë për startin e eliminatoreve të Botërorit Afrikë e Jugut 2010. Njëri nga dy golat e sfidës u shënua nga Jahmir Hyka, i cili në shtator të këtij viti u rikthye në kombëtaren kuqezi nga trajneri Gianni de Biasi dhe është gati të lerë shenjën e tij edhe këtë herë ndaj Lihtenshtejnit.
Përfaqësuesja e drejtuar nga austriaku Rene Pauritsch është një skuadër modeste, por që kurrsesi nuk duhet nënvlerësuar. Në eliminatoret e Europianit Francë 2016, Lihtenshtejni bëri surprizën duke e mbyllur Grupin G në vendin e 5-t përpara Moldavisë me 5 pikë të grumbulluara. Edhe pse nuk ka emra të njohur në skuadër, kjo përfaqësuese bazohet tërësisht te forca e grupit, këtë e provoi shumë mirë në kualifikueset e Kampionatit Europian, Moldavia, por mbi të gjitha Mali i Zi i emrave të tillë si Saviç, Jovetiç e Vuçiniç që në Lihtenshtejn më 9 tetor të 2014-tës u ndal në një barazim pa gola. Siç e tha edhe trajneri Gianni de Biasi, kjo është ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë për momentin pasi Lihtenshtejni është një nga 3 skuadrat që kombëtarja kuqezi kërkon të lërë pas në grup. Në Vaduz këtë të enjte, Shqipëria do të kërkojë me çdo kusht fitoren për t’u ngjitur përkohësisht në kuotën e 6 pikëve dhe për ta pritur me shumë qetësi ndeshjen e të dielës ndaj Spanjës.