Hungarezi Tamas Bognar do të jetë arbitri i ndeshjes së Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018, që do të luhet këtë të enjte në fushën e Lihtenshtejnit. UEFA publikoi gjyqtarët e ndeshjes që do të luhet në Vaduz, kryesor i së cilës do të jetë 37-vjeçari që mban stemën e FIFA-s prej vitit 2009, ndërsa asistentë të tij do të jenë Vencel Toth dhe Zsolt Varga, ndërsa hungarezi tjetër Ferenc Karako u caktuar në rolin e gjyqtarit të katërt.
Kryesori Tamas Bognar nuk është i panjohur për futbollin shqiptar, pasi shtatorin e vitit të kaluar, ai drejtoi sfidën e Grupit H të Europa League ndërmjet Skënderbeut dhe Besiktas, të luajtur në “Elbasan Arena”. Ajo ishte edhe ndeshja e parë në fazën finale të turneve madhorë të organizuar nga UEFA, ndërsa deri në ato momente bilbili hungarez kishte drejtuar ndeshje ndërkombëtare të kualifikueseve të Europianit 2016 dhe kualifikuese në Champions dhe Europa League.