Deklarata e fortë e Kryemadhit: Ja si po përdoret edhe gruaja e Sekretarit të Ramës për të marrë rafinerinë e naftës

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka cilësuar mafia e naftës atë që po ndodh në Ballsh me naftëtarët. Kryemadhi hodhi akuza të forta lidhur edhe me përdorimin e gruas së Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, lidhur me një kredi për të marrë rafinerinë e naftës.

“Gruaja e Engjëll Agaçit punon në një bankë të nivelit të dytë dhe po përdoret për marrjen e një kredie, që është shumë më e vogël se vlera e naftës. Ky është denoncimi i parë lidhur me atë që po ndodh në Ballsh nga mafia e naftës.

Edhe ajo video që u shfaq dje me një nga gratë naftëtare, mund tju them se ajo është kërcënuar me bukën e fëmijës, pasi djali i saj punon në Bashkinë e Tiranës. Është nga Mallakastra dhe punon në bashkinë e drejtuar nga Erion Veliaj. Është kërcënuar me vendin e punës, ndaj dhe gruaja në fjalë, për të cilën unë nuk kam asnjë gjë personale, ka bërë atë reagim dje. Turp për median që u përdor nga Veliaj dhe mafia e naftës”, tha Kryemadhi.

Ajo tha se Shqipëria po grabitet nga sekti i Rilindjes dhe ata që janë të lidhur me të.

“Një nga problemet e mëdha që kanë qytetarët është mungesa e punës, shpopullimi i vendit, është varfëria. Mos u shqetësoni se si ne do të bëhemi deputetë, pasi ne do të marrim 100 deputetë”, tha Kryemadhi.

Artikulli paraprakPolicia ndalon protestën, Idrizi: Kur Rama bën Asamble nuk ka Covid, për ne që mbrojmë detin ka
Artikulli tjetërKryemadhi: Rama po tenton pazare që të shpëtojë kokën e tij…