Nga Fitim ZEKTHI
Jo vetëm qeverisja, por edhe komunikimi publik i Kryeministrit Rama duket se ka pësuar kolaps të plotë.
Në situata të tilla kolapsi, një individ apo çdo entitet reagon në mënyrë instiktive dhe zbulon pa dashjen e vet vetëm thelbin e vërtetë të asaj që ai përfaqëson apo që është.
Aftësia për ta përdorur ration për të fshehur këtë anë të individit shuhet. Vetë ratio del nga funksioni.
Kjo është pika në të cilën ka mbërritur sot qeverisja dhe komunikimi i Kryeministrit.
Kjo gjë u pa qartë me videon që publikoi kryeministri Rama ku ai sulmonte Armand Shkullakun, një analist i njohur dhe kritik i përkorë i qeverisë.
Është hera e parë që një Kryeministër publikon një video që e ka montuar ne studiot e tij dhe lexon një tekst që sulmon një individ me të cilin ka qenë në një debat përballë, një debat në të cilin Kryeministri është masakruar në kuptimin politik dhe është shfaqur si i paaftë dhe i korruptuar.
Ndonëse thjesht publikimi i një videoje të tillë tregon në vetvete rënien në kolaps të komunikimit të Kryeministrit, humbjen e qetësisë, vetdijësimin se besueshmëria para publikut është e shkatërruar plotësisht, përmbajtja e saj është tregues i një gjëje shumë më të rëndë.
Kryeministri në atë video thoshte se “Armand Shkullaku gënjeu, se ai mashtroi, se njerëz si ai në media ka kohë që bëjnë gjëra të tilla… etj”.
Me një zë përdëllimtar, tipike për ata që duan të luajnë viktimën për të nxitur ndjenjën e eupatisë, Kryeministri Rama iu drejtohej njerëzve, i drejtohej popullit duke thënë se “Armand Shkullaku dhe të gjithë ata që gënjejnë në media, ata që sulmojnë Ramën natë e ditë nuk e kanë me Ramën, por e kanë me Shqipërinë, e kanë me popullin, ata nuk sulmojnë Ramën, por sulmojnë popullin dhe Shqipërinë…”.
Sigurisht që është një budallallëk me brirë të mendosh se Armand Shkullaku kur kritikon qeverinë, kur mban qëndrime të ashpra ndaj kryeministrit për qeverisjen dhe mënyrën se si ai përdor paranë publike, sulmon Shqipërinë apo popullin shqiptar por kjo në këtë moment nuk ka asnjë rëndësi.
Rëndësi ka domethënia e gjithë kësaj, rëndësi ka çfarë tregon kjo gjë, kjo gjuhe, ky sulm i Ramës.
Kur në vitin 1989 në sheshin Tiannamen në Pekin u bënë demonstratat e mëdha për demokraci dhe kur qeverisja komuniste e drejtuar nga Ten Siaopini (Deng Xiaoping) i shtypi me dhunë dhe i masakroi protestuesit, udhëheqja e lartë komuniste e Kinës u përfshi në diskutime se si ajo do t’i cilësonte këto ngjarje dramatike.
Pasi u eliminua Zhoa Xijang, drejtuesi i krahut të moderuar i cili ishte për një qasje pajtuese dhe për t’i parë protestuesit si njerëz që ishin të pakënaqur me qeverinë, Ten Siaopini i quajti ata armiq të popullit dhe të Kinës.
Historia e botës, sidomos me regjimet totalitare komuniste dhe fashiste e ka njohur prej kohësh idenë e krijimit të armiqve por në rastin e Ten Siaopinit në vitin 1989 kishte diçka ndryshe.
Thomas Ferguson, një profesor i njohur në MIT Boston, thotë se udhëheqësi komunist kinez ishte në vështirësi ekstreme.
Njerëzit ndonëse u vranë dhe u masakruan ishin të bindur se rruga e kërkimit të demokracisë nuk duhet të ndalej dhe se ajo që kishte bërë qeverisja komuniste ishte kriminale.
Ajo demonstratë ishte e vërteta e madhe e asaj që ishte Kina. Gjendja ekonomike në Kinë ishte e keqe, njerëzit ishin të dëshpëruar.
Thuajse të gjitha rastet kur regjimet komuniste apo apo fashiste kanë përdorur apo konstruktuar një armik kanë qenë të pangjashme me këtë të Kinës pasi ato më së shumti kanë kërkuar të krijonin një front rreth partisë apo regjimit dhe kanë dashur tu krijojnë njerëzve idenë se ata po jetojnë ëndrrën e ndërtimit të një bote të re utopike dhe të lumtur.
Me Ten Siaopinin ishte më ndryshe. Ai kërkonte të mbrohej, ai kërkonte të zhvendoste shënjestrën e njerëzve, ai kërkonte të largonte veten dhe Partinë Komuniste nga përgjegjësia dhe të qetësonte zemërimin. Ai kërkonte të identifikohej me popullin.
Ten Siaopini dha një intervistë në Global Times ku tha se demonstrata në Tiananmen drejtohej kundër popullit të Kinës dhe kundër Kinës. Ajo nuk drejtohej kundër tij dhe kundër Partisë Komuniste të Kinës.
Gjithë sjellja dhe gjuha e mëpasshme e Partisë komuniste kineze dhe e liderit të saj Ten Siaopin në lidhje me demonstratat e Tiannamen, në lidhje me ata pak disidentë që dilnin herë pas here fliste për armiq të Kinës dhe të popullit kinez.
Kjo është ajo që do Rama dhe po e bën shumë trashë. Po e bën shumë trashë sepse është në kolaps, nuk ka qetësi të përdorë ration, qeverisja ka dështuar në çdo aspekt dhe është në rënie të lirë.
Dhe duke qenë kështu, Rama po shfaq çfarë është në të vërtetë. Ai po shfaq një Ramë mediokër dhe vulgar, një Ramë të paaftë dhe të dështuar që shkon tek gjëja e vetme thelbësore që ka.
Po shkon tek mendësia toalitare, tek sulmet banale të politikanëve totalitarë. Po përpiqet të mbrohet duke dashur të identifikohet me popullin.
Edhe më herët, ndoshta gjithmonë, Rama e ka shfaqur këtë prirje ose këtë komponte të qenies së tij politike. Rama gjithnjë ka fajësuar të tjerët për çdo gjë që shkon keq dhe Rama gjithnjë ka zgjedhur atë që njihet si teknika sovjetike e ëhataboutism-it për iu shmangur pyetjeve për çështje të rëndësishme.
Për shembull, kur i duhet t’i përgjigjet kritikave apo sulmeve të Bashës për inceneratorët, kur duhet t’i përgjigjet pyetjes së kush i ka marrë paratë, cilët janë pronarët, pse u morën lejet në një ditë, pse nuk ka në punë asnjë incenerator, Rama thotë “fli gjumë Luli…”.
Kur duhet t’i përgjigjet pyetjeve se pse ai nuk merr në konsideratë planin ekonomik të opozitës në lidhje me pandeminë, pse nuk ndihmon ekonominë dhe biznesin me ndihma financiare, pse nuk paguan mjekët dhe infermierët siç ka premtuar, pse nuk kryen me shumë testime etj. Rama, i cili duhet thënë nuk mbledh dy numra natyrorë apo dy thyesa, përgjigjet se 7×7 bëjnë 42 duke kujtuar një lapsus të Kryetarit të PD-së.
Kur duhet të përgjigjet se, pse ka mjerim, pse ka papunësi të lartë, pse u rrit Borxhi publik me 7 miliardë euro, pse në fillim e shiti Tahirin dhe më pas e mbrojti, pse e mbushi parlamentin me njerëz që vinin nga trafiku, pse mban në kryesi Dakon të cilin e akuzon si të korruptuar, Departamenti i Shtetit etj., Rama përgjigjet duke sulmuar PD-në apo duke folur për krizën e medias, për “kazanin”, për korrupsionin në gjykatë, për frikën e opozitës nga SPAK-u apo vettingu dhe lloj-lloj marrinash.
Gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik, në perëndim qarkullonte një barcaletë që njihej si “barcalaleta e radios armene”. Armenia ishte një republikë sovjetike dhe radioja bënte propagandën e regjimit sovjetik.
Kur pyetej radioja se sa paguhej një inxhinier sovjetik, radioja përgjigjej (dmth gazetari i saj ) “nuk e di, por ju në Perëndim i vrisni zezakët”. Kjo barsaletë tregonte thelbin e propagandës sovjetike.
Pra shmangia nga përgjigja për çështjen dhe njëherazi denigrimi me gënjeshtra, me sharje, me shpifje për atë që është pala tjetër. Tek Rama kjo ka qenë gjithnjë e pranishme në mënyrë sipërore. Në çdo dy-tre fjali, Rama bën një “whataboutism”, duke iu shmangur thelbit dhe denigron, shan, shpif apo fyen për kundërshtarin.
Tani që është shumë më rëndë dhe kur i ka rënë nga kontrolli gjithë komunikimi ai nën shtysat e instikteve po shfaq haptas thelbin e vet të propagandës.
Tani ai po thotë që kritikët nuk e kanë me të, por me Shqipërinë, me popullin shqiptar.
Ai e ka akuzuar opozitën si forcë që nuk e do apo që e pengon Shqipërinë, që saboton Ramën (akuza që në kohë të komunizmit të çonin në litar) por nuk kishte mbërritur deri tani në pikën që të sulmonte një analist apo një kritik të tijin në media se ai “nuk sulmon apo nuk kritikon Ramën, por sulmon Shqipërinë”.
Kjo është faza më fatkeqe dhe fundore e propagandës totalitare. Problemi është se në faza të tilla, si pasojë e daljes jashtë funksionit të ratios dhe e funksionimit vetëm me anë të instikteve, liderët nisin dhe mendojnë vërtet se ata dhe populli janë një.
Në këtë moment shkëputja nga realiteti është e pamatshme ç’ka i shtyn qorrazi të besojnë se njerëzit i duan apo se ata mund t’ia dalin të fitojnë mandat të tretë, mandat të katërt, mandat të pestë e me radhë.
Ndërkohë tek njerëzit, besueshmëria e tyre është plotësisht e shkatërruar dhe nuk ka gjë që e ndreq më.