Rrjeti amerikan CNN i kushton një hapësirë të rëndësishme historisë së pazakontë të dy vëllezërve Berisha, aktualisht të ndarë mes dy përfaqësueseve. “Kupa e Botës 2018: Ëndrra e Kosovës dhe dy vëllezër të ndarë nga detyra”, është titulli i reportazhit të gjigantit mediatik amerikan që ndalet gjatë në historinë e dy vëllezërve, të cilët ashtu si Taulant e Granit Xhaka, kanë vendosur të ndahen mes dy vendeve, atij ku u rritën dhe vendit të origjinës.
“Kur ishin fëmijë, vëllezërit Berisha mund të kenë imagjinuar se me cilën skuadër të madhe do të kishin dashur të luanin. Ëndrrat e tyre nisën t’i bëheshin realitet fillimisht në fushat e shkollës, por ata nuk e dinin se kur të rriteshin do të diskutonin mes tyre se cilin vend do të përfaqësonin”, shkruan CNN që vazhdon më tej rrëfimin.
“Valoni, djali i një emigranti kosovar i lindur në Suedi, ka luajtur rregullisht me përfaqësueset e moshave të Norvegjisë për t’iu bashkuar më pas skuadrës së parë. Por në momentin kur ëndrra e Kosovës për pjesëmarrjen në eliminatoret e Kupës së Botës u bë realitet në maj të 2016-ës, vëllai i tij më i vogël në moshë, u përfshi në kombëtaren e Norvegjisë. Duhet të qëndronin apo të zgjidhnin përfaqësuesen e Kosovës? Për Valonin ka qenë vendimi më i vështirë që kanë marrë”.
“Ishte një moment i jashtëzakonshëm, jo vetëm për ne, por edhe për familjen tonë. Bëhej fjalë për një vendim që duhet të ishte në të mirën tonë, sepse të dy luanim për Norvegjinë”, thekson ai.
Vëllezërit u ulën me njëri-tjetrin për të biseduar. Valoni në fakt ishte një pjesë e rëndësishme e Norvegjisë, sepse kishte luajtur 20 ndeshje ndërkombëtare. Ai ishte rritur, duke luajtur futboll në Norvegji dhe kishte përfaqësuar moshat e këtij vendi nga njëri brez të tjetri. Të dy djemtë ndjenin një lloj detyrimi ndaj vendit që kishte pranuar familjen e tyre nga tmerret e luftës.
Valoni, i cili ka luajtur në Austri me Red Bull Zalzburg që nga viti 2012, është vlerësuar shumë si në Norvegji edhe jashtë saj.
Ai ka refuzuar ofertën e Manchester City-it, pasi e kishte të vështirë të jetonte larg familjes. Gjithashtu është raportuar se për të është interesuar edhe Chelsea, një tjetër klub elitar në Angli.
Vetoni, sulmues në radhët e gjermanëve të Greuther Furth ndoqi të njëjtën rrugë, duke konsumuar të gjitha etapat në radhët e ekipeve zinxhir.
Në fund, të dy vëllezërit bënë zgjedhjen që e menduan më të mirën për veten e tyre.
“Ishte shumë e vështirë. Unë do t’i jem përherë mirënjohës Norvegjisë. Është vendi ku u rrita dhe më ka ndihmuar shumë, por jam gjithashtu shumë i lidhur edhe me Kosovën prandaj së bashku vendosëm që të luaja për Kosovën dhe Vetoni të qëndronte me Norvegjinë”, thekson në fund të intervistës lojtari që shënoi golin e parë në historinë e Kosovës në një ndeshje zyrtare.