Mesfushori i Realit të Madridit, Isco, pavarësisht cilësive të tij të padiskutueshme, nuk po arrin të ketë një rol të rëndësishën në radhët e Los Blancos. Sezoni i ri ka nisur edhe më keq se ai i përparshmi. Është aktivizuar në vetëm një ndeshje titullar, pikërisht në barazimin 1-1 me Eibarin, ndërsa në tri takime të tjera të Primera Division është hedhur në fushë si zëvendësues. Statistikat e tij janë vërtet për të ardhur keq, asnjë asist dhe asnjë gol i shënuar.
Trekuartisti spanjoll, në një prononcim të fundit ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga Reali. “Nuk është në planet e mia largimi nga Reali pas festave të fundvitit. Do të vlerësoj mundësinë e largimit në fund të sezonit, vetëm nëse nuk do të kem fare hapësira në formacion”, u shpreh Isko.
Pretendentët që dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e mesfushorit janë të shumtë dhe ky nuk është një mister. Sidomos në Itali e kërkon me ngulm Juventusi, që në disa raste ka bërë sondazhe për të kuptuar nëse kjo lëvizje është e mundur.
Isco nuk ka qejfmbetje me stafin teknik, përkundrazi e pranon se, nëse ai nuk luan, është vetëm faji i tij. “Plani im është të fitoj sa më shumë trofe me Realin. Jam 24 vjeç dhe e di që mund të jem vendimtar për skuadrën. Faji nuk është i Zidane, ai hedh në fushë më të mirët, ata që janë më në formë. Nëse nuk do t’ia dal, atëherë do të mendoj për largimin nga Reali”, përfundoi Isko.
Ndërkohë, në kampin tjetër rival, Luis Suarez arrin akordin për rinovimin. Pas Neymar Jr, një tjetër pjesë e rëndësishme e MSN së famshme është gati të lidhë të ardhmen e tij me Barcelonën. Sipas asaj që raporton gazeta katalanase “Sport”, Luis Suarez është shumë pranë rinovimit të kontratës me blaugranat. Drejtuesit e Barcelonës kanë gati një marrëveshje të re për El Pistoleron deri në vitin 2020. Nga kontrata e re, bomberi uruguajan do të përfitojë një pagë të ngjashme me atë të Neymar, rreth 16 milionë euro në sezon. Në këtë drejtim vetëm Lionel Mesi mbetet i paarritshëm edhe për Luis Suarez-in, pasi argjentinasi nga kontrata aktuale me Barcën arkëton 21 milionë euro në sezon.
Aktualisht 29-vjeçari nga Salto ka një pagë që kap vlerën e 10 milionë eurove në vit, një shifër e konsiderueshme për një futbollist të klasit të tij, por që nuk krahasohet me ato që arkëtojnë shokët e tij të repartit. Kontrata aktuale e Suarez me Barcelonën skadon në 30 qershor të vitit 2019 dhe në marrëveshjen e re që do të zgjasë një vit më tepër, drejtuesit e Barcës pritet të përfshinë edhe një superklauzolë në rast të një largimi të mundshëm të uruguajanit. 29-vjeçari që nga transferimi i tij në “Camp Nou” në verën e vitit 2014 është shndërruar në një futbollist të domosdoshëm për katalanasit. Me uruguajanin në fushë të mposhtësh Barcelonën është thuajse e pamundur. Në 106 ndeshje në total në të gjitha kompeticionet me skuadrën e Luis Enriques, El Pistolero ka realizuar 92 gola.