Paulo Dybala është pranë rinovimit me Juventusin. 22-vjeçari, i cili është grumbulluar në Kombëtaren e Argjentinës për dy ndeshjet e radhës me Perunë dhe Uruguajin ka deklaruar se marrëveshja e re me bardhezinjtë është çështje kohe, duke hedhur poshtë zërat për një transferim të mundshëm te Barcelona. “Ato që shkruhen rreth kalimit tim te Barcelona nuk kanë sens, sepse meraktoja është mbyllur. Jam shumë pranë rinovimit të kontratës me Juventusin. Ëndrra për të luajtur me Mesin? Po e realizoj këtu, në përfaqësuesen e Argjentinës”, u shpreh Dybala.
Eksperienca me fanellën e Juventusit ka qenë thelbësore në rritjen e talentit argjentinas, brenda dhe jashtë fushës së blertë.
“Falë paraqitjeve të mia në Serinë A jam grumbulluar edhe në kombëtare. A ndryshon pozicioni im në fushë? Pak a shumë, roli im si te Juvja ashtu edhe në kombëtare është i njëjtë. Ndryshon vetëm moduli. Në klub, spostohet paksa nga e djathta, për të krijuar hapësira nga e majta për një mesfushor. Pastaj me Higuainin në krah gjithçka bëhet më e lehtë, sepse tërheq vëmendjen e mbrojtësve dhe më krijon hapësirat e duhura në sulm”, tha ai.
Talenti për të cilin trajneri Edgardo Bauza është i bindur se mund të zëvendësojë Mesin, shprehet se te bardhezinjtë një nga miqtë e tij më të mirë është Gianluiggi Buffon, portieri më i mirë i historisë.
Ndërkohë, Radja Nainggolan mund të shndërrohet në futbollistin e tretë më të paguar në Serinë A italiane. Në Trigoria vazhdojnë bisedimet mes drejtuesve të Romës dhe menaxherit të lojtarit të përfaqësueses belge për rinovimin e kontratës. Klubi verdhekuq është gati t’i vendosë në pjatë 20 milionë euro 28-vjeçarit me origjinë indoneziane për 4 vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për një marrëveshje të re deri në vitin 2020 nga e cila Nainggolan do të përfitojë 5 milionë euro në sezon. Pagë për një top player kjo, sepse në Serinë A për momentin vetëm Higuain me 7,5 milionë euro në sezon dhe Daniele De Rossi me 6,8 milionë euro përfitojnë më shumë.