Masakër në Pyllin e Sodës në Vlorë, pishat priten natën

Një masakër e vërtetë po ndodh në Vlorë, ku persona të paidentifikuar presin pishat në pyllin e sodës gjatë natës. Denoncimi është bërë nga banorët e Vlorës, të cilët shprehen se në pyllin e sodës po bëhet një masakër e vërtetë nën hunën e policisë. Banorët tregojnë se, gjatë natës pemët tërhiqen me litarë nga makinat dhe më pas priten me sharrë. Vlora News ka publikuar edhe disa foto ku duket qartë prerja e pishave në pyllin e sodës. “Shikoni si vazhdon masakra e prerjes së pishave në pyllin e sodës në Vlorë. Pemët janë dënuar me vdekje. Banorët e Vlorës tregojnë se, gjatë natës pemët tërhiqen me litarë nga makinat dhe më pas priten me sharrë…”, shkruhet në faqen e Vlora News.
Personat që kanë prerë pishat nuk janë penguar nga askush. Pishat, pasi priten në trungje, ngarkohen dhe transportoheshin për qëllime personale. Masakra e prerjes së pishave në pyllin e sodës çdo ditë vjen duke marrë përmasa alarmuese. Brenda pyllit janë krijuar hapësira të mëdha boshllëqesh të krijuara nga prerja masive dhe largimi i drurëve nga persona të papërgjegjshëm.
Pylli i sodës në Vlorë po shkon drej shkatërrimit. Janë rreth 5 hektarë pisha të prera vetëm nga ndërtimet pa leje. Pishat janë mbjellë nga viti ‘56 deri në vitin ‘62 nga punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme dhe nxënës shkollash, por po nga dora e njeriut po priten. Ndërtimet janë masakra e fundit dhe e pakthyeshme që po ndodh në këtë zonë dhe ajo që është më shqetësuesja, këto godina janë të ligjshme të pajisura me leje ndërtimi nga KKRRT-ja e Bashkisë. Edhe nga Bashkia e Vlorës konfirmohen prerjet masive në Pyllin e Sodës për t’u hapur më pas sheshe ndërtimi.
Një vit më parë, ishin mbeturinat inerte që po dëmtonin gjithë sipërfaqen e pyllit të sodës. Gjatë verës ishin zjarret në shumicën e rasteve të qëllimshme që zhduken me qindra rrënjë pisha, gjatë dimrit ishin rreshjet dhe erozioni që shkulën nga rrënjët pemët dhe tashmë ky pyll i destinuar për t’u zhdukur po pritet për t’u kthyer në zonë të banuar.
Prerja e pishave në këtë pyll është masive, por ajo çfarë po e dëmton më së shumti këtë pyll është niveli i lartë i ndotjes. Në të gjithë pyllin mund të shohësh masive mbetjesh inerte, goma makinash, prodhime deti e shumë të tjera. Thuajse të gjitha firmat private të zonës së Vlorës mbetjet e tyre i hedhin në këtë pyll, duke krijuar pirgje mbeturinash dhe duke e kthyer këtë pyll në një vendgrumbullim plehrash. Gjë e cila ja ka humbur bukurinë dhe po e shkatërron këtë vend çdo ditë e më shumë.
Deri tani, pylli i sodës cilësohej si mushkëria e qytetit të Vlorës, por tani mund të quhet asgjë tjetër veçse një pyll i degraduar dhe i përfunduar në vendgrumbullimi mbetjesh urbane. Edhe pse gjendja është alarmante në këtë pyll askush nuk merr përgjegjësinë për të ndaluar këtë fenomen shkatërrues.

R.POLISI

Artikulli paraprakTahiri sulmon gazetarin: Nuk më plas fare kush je ti
Artikulli tjetërFermerët e Beratit në faliment