Partia Demokratike ankimoi dje në Gjykatën Kushtetuese Ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i Vetting-ut.
Ligji është një nga shtatë ligjet që plotësojnë paketën e Reformës në Drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligji u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.
PD deklaron se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit të kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.
Një nga institucionet, rolin e të cilit PD kundërshton është Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Kualifikuar (DSIK).
Shkurtimisht roli që kjo drejtori do të luajë në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe arsyet pse PD e kundërshton këtë rol.
Roli i DSIK
Kontrolli i figurës është njëri prej tri aspekteve të rivlerësimit që parashikon reforma; vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë dy aspektet e tjera.
Procesi i kontrollit të figurës parashikohet të bëhet në këtë mënyrë nga qeveria.
Ligji i Vetting-ut përcakton se, “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Apelimit (KA), do të bëjë kontrollin e figurës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorin e Përgjithshëm”.
Për këtë qëllim, DSIK do të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Grupi i punës drejtuar nga DSIK do të bëjë:
Verifikimin e saktë të identitetit, gjeneraliteteve dhe statusit të shtetësisë, në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo anëtar të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe për prokurorin e Përgjithshëm;
Kontrollin e rekordeve në nivel lokal e kombëtar, në funksion të aktivitetit dhe tendencave kriminale;
Vlerësimin e përgjithshëm nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale;
Kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim ose në përbërje të një organizate kriminale; Verifikimi nëse rezulton i dënuar për një ose më shumë vepra penale, ka sjellje të keqe, tendenca kriminale e përfshirje në krimin e organizuar;
Pas procesit të verifikimit dhe kontrollit, DSIK duhet t’i paraqesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) një raport mbi kontrollin e secilit individ. DSIK ka të drejtë të mos e bëjë publik informacionin nëse e shikon të arsyeshme se publikimi i tij rrezikon burimin e informacionit. Përveç raportit, DSIK i paraqet KPK-së dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.
Kundërshtimet e PD-së
Partia Demokratike kërkon që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kryhet vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit, siç parashikohet në nenin 179/b, pika 5, të Kushtetutës.
Ky nen parashikon se: “rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese”.
PD kundërshton rolin e DSIK në këtë proces duke qenë se ajo është nën varësinë e Kryeministrit – drejtori i DSIK emërohet direkt nga Kryeministri.
Të njëjtën ankesë, PD ka dhe për rolin në këtë proces të Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, institucion nën varësinë e ministrit së Punëve të Brendshme.
Përfshirja në procesin e Vetting-ut të institucionet shtetërore nën varësin e qeverisë rrezikon paanshmërinë e procesit.
Ligji konsiderohet si elementi kryesor i të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, duke synuar kalimin në sitë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe verifikimin e pasurive të tyre, me synim spastrimin e radhëve të drejtësisë nga elementët e korruptuar.
Bylykbashi: Krim kushtetues me Vetting-un politik
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht nënkryetar për Reformën në Drejtësi e cilësoi dje ligjin e mazhorancës për Vettingun si një krim kushtetues. Pas depozitimit të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, Bylykbashi tha për mediat:
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paditi shkeljet e Kushtetutës, që mazhoranca bëri në 30 Gusht me ligjin e Vettingut. Me konsensus të plotë, Parlamenti miratoi në Kushtetutë Vettingun i cili do të luftojë korrupsionin në sistemin e drejtësisë, dhe më pas kjo do të çojë në luftën ndaj korrupsionit në qeveri. Kushtetuta për ta bërë këtë, ngriti organe të pavarura kushtetuese, e do të jenë ato sipas Kushtetutës që do të bëjnë procesin e Vettingut të gjyqtarëve. Organe të ngritura me kontributin e drejtpërdrejtë të ndihmës-sekretares së Shtetit Nuland dhe Komisioneri të BE, z.Hahn. Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, Vetingun, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS, ta bëjë Alket Hyseni i cili është garanti i Kushtetutës së PS dhe e dinë shumë mirë se çfarë ndodh atje. Edi Rama do që vettingun ta bëjë Arben Seferi , zyrtar tjetër i PS-së, pra me levat dhe instrumentet e e tij, të kontrollojë gjyqtarët të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë kryeministër të korruptuar, për korrupsion. Kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues, është 100 % në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias” tha deputeti demokrat njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi. Bylykbashi tha se PD dha konsensusin e plotë që korrupsioni të luftohet duke futur Vettingun në Kushtetutë, por për asnjë sekondë PD nuk mund të mbështesë dhe, është e gatshme të kundërshtojë përpara kësaj Gjykate kushtetuese, shkeljet që bëri me ligjin e Vettingut, kjo mazhorancë. “Është standard i vendeve të BE-së dhe SHBA-së që kur dhe një germë e vetme e ligjit, është në dyshim se shkel Kushtetutën, duhet t’i përgjigjet testit të Gjykatës Kushtetuese. Jo më një numër i pafund shkeljesh që cënon parimin e ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së drejtësisë, shtetit dhe së drejtës, procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave të njeriut” u shpreh Bylykbashi.
Pesë pikat, pse duhet të pezullohet ligji i Vettingut
• Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pa reformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, siç janë ILDKPKI , DSIK , Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.
• Organet e reja të vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave .
• Ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës. Nga mënyra sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut.
• Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.
• Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor.Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërc institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.
Ligji bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës
Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë në konsideratë se procesi parlamentar i ndjekur në miratimin e këtij ligji, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, ku transparenca në vendimmarrje dhe mbi të gjitha mundësia e deputetit për të ushtruar në kushte normale funksionin, duhet të respektohet. Projektligji në fjalë ka qenë iniciativë ligjvënëse e një grupi deputetësh në muajin Qershor 2016 dhe i është nënshtruar votimit në parim në Komision në fillim të muajit Korrik, madje pa u miratuar ende edhe baza kushtetuese që i hapte rrugë miratimit të tij. Projektligji i depozituar ka pësuar ndryshime gjatë diskutimit në Komisionin e Posaçëm, të cilat nuk gjejnë pasqyrim në Raportin që ka shoqëruar projektligjin për miratim në seancën plenare. Në këtë Raport nuk cilësohen cilat janë ndryshimet që i janë bërë tekstit të projektligjit. Për pasojë, deputetët në seancën e jashtëzakonshme plenare kanë votuar për një projektligj i cili ka qenë i panjohur prej tyre.