Si asnjëherë më parë, qeveria shqiptare këtë vit i ka mbajtur pothuajse të bllokuara të gjitha investimet publike për pjesën më të madhe të vitit, duke krijuar një situatë të paprecedent, ku buxheti i shtetit ka një suficit prej 13.7 miliardë lekësh për periudhën janar-gusht, në një kohë që kishte parashikuar një deficit prej 5.6 miliardë lekësh. Në një vend që përgjatë viteve, tejkalimi i deficitit buxhetor të programuar ka qenë shqetësim i vazhdueshëm, suficiti në buxhetin e shtetit mund të ngjajë si një lajm i mirë, por në fakt, rezulton një lajm shumë i keq. Ndërsa qeveria nuk shpenzon para, shuma e parave të pashpenzuara “fle” në llogarinë e qeverisë pranë Bankës së Shqipërisë në vend që të investohej në ekonomi, të krijonte vende pune dhe konsum. Paratë e munguara përgjatë periudhës janar-gusht 2016 prej 19,3 miliardë lekësh, (afro 140 milionë euro) janë shumë, të barasvlefshme me 1.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Nëse do të qenë shpenzuar sipas planit, ekonomia shqiptare do të qe rritur së paku 1 për qind më shumë nga sa është rritur, ndërkohë që biznesi dhe qytetarët do të kishin më shumë para nëpër duar.
Problemi u kritikua edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila zakonisht në të shkuarën, në drejtim të qeverisë është ankuar vetëm për deficit. Në deklaratën e fundit publike të guvernatorit Gent Sejko, përveç suficitit të tepërt dhe të panevojshëm, kritikohet edhe fakti se qeveria mund të vendosë të shpenzojë të gjithë deficitin në muajt e mbetur të vitit duke e ulur rentalibitetin e përgjithshëm të investimeve publike në ekonomi.
“Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë”, tha Sejko në konferencën për shtyp të 5 tetorit. Dhe ndërsa BSH flet për “efektivitet” dhe “reduktim të luhatjeve në treguesit ekonomikë”, kjo në fakt përkthehet në telashe reale për kompanitë dhe individët. Në mungesë të investimeve publike, kompanitë e ndërtimit, për shembull, nuk janë në gjendje që të përballojnë shpenzimet e tyre, kompanitë furnizuese të kompanive të ndërtimit do të duhet të mbajnë kapacitete të ulëta prodhuese, ndërsa përfituesit finalë të këtyre parave, të punësuarit e të gjithë sektorit që përfiton nga investimet publike, kanë më pak para për të paguar konsumin.
Pjesa dërrmuese e parave të tepërta të pashpenzuara janë shënuar në buxhetin e pushtetit vendor, ku investimet janë shumë më të ulëta nga sa qe parashikuar, si dhe në zërin e shpenzimeve kapitale, ku përfshihen investimet publike, të cilat kanë ecur shumë më keq nga sa qe parashikuar.
Një zë tjetër me kursime është ai i shpenzimeve për interesa të borxhit publik. Rënia e shpejtë e interesave në tregun e bonove të thesarit, rënie që ka ndodhur për shkak se bankat ngurrojnë të japin kredi në sektorin privat. Këtu qeveria ka kursyer 1.7 miliardë lekë, të cilat, në një situatë normale, do të rialokoheshin për investime publike. Problemi është që qeveria sakaq nuk po shpenzon dot paratë e programuara që në fillim të vitit dhe nuk ka nevojë për më shumë.
“Respektimi i niveleve të programuara të deficitit buxhetor për vitin 2016 nënkupton se politika fiskale do të marrë një natyrë stimuluese për pjesën e mbetur të vitit. Ky respektim kërkon gjithashtu përshpejtimin e ritmit të shpenzimeve në pjesën e mbetur të vitit”, thotë Banka e Shqipërisë.
Qeveria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se pse fondi i saj i investimeve publike nuk është realizuar, por disa nga projektet kryesore investuese, si by pass i Fierit dhe by pass i Vlorës janë aktualisht të bllokuara.