Gjykata Kushtetuese, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Shoqatës së Mbrojtjes së Tregtarëve dhe të Tregut për shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit për taksat vendore me argumentin se ai është antikushtetues dhe ka dëmtuar bizneset, ka vendosur që ta rrëzojë pezullimin, ndërsa pritet vendimi për shfuqizimin, pas shqyrtimit të dosjes.
Argumentet e biznesit kanë qenë se ky sistem taksash e ka vënë biznesin në vështirësi dhe se shumë sipërmarrje po falimentojnë.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë kërkuar shifra dhe statistika mbi ndikimet që po sjell zbatimi i këtij regjimi, me argumentimin se gjobat janë masa e fundit që duhet të zbatohet dhe se duhet të prevalojë parimi social, kundrejt sigurisë juridike.
Pak muaj më parë, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pranojë për shqyrtim çështjen me objekt: “Shfuqizimi i Ligjit nr. 142/2015 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9632’, datë 30.10.2006 ‘Për sistemin e taksave vendore’”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Gjatë seancës, përfaqësuesit juridikë të Kuvendit, Kryeministrisë dhe Avokaturës së Shtetit argumentuan se nuk ka asnjë shkelje Kushtetute, ndërsa pezullimi do të cenonte sigurinë buxhetore dhe të ardhurat. Sipas tyre nuk ka dëm real apo potencial nga zbatimi i këtij ligji, i cili mbështetet edhe nga buxheti i shtetit.
Relatori i çështjes gjyqtari Besnik Imeraj kërkoi argumentime pse duhet të shfuqizohej ligji për taksat në tërësi dhe nëse kjo do të cenonte interesat e grupeve të veçanta. Gjykata kërkoi që të dijë sa është ndikimi real që ka sjellë rritja e normës së disa taksave vendore te biznesi në numra konkretë, por shoqata ka dhënë një shifër prej 80 mijë, që vlerësohet sa numri i gjithë bizneseve që ka vendi.
Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve, Nikollaq Neranxi ka pohuar se janë mbyllur shumë biznese ndaj duhen shfuqizuar taksat vendore, të cilat u rritën ndjeshëm, pasi situata është e vështirë.
Në fillim të seancës gjykata shqyrtoi edhe kërkesën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për t’u tërhequr nga çështja, kërkesë që u pranua.
Taksat e Bashkisë
Në janar të këtij viti Bashkia rriti ndjeshëm taksat vendore, ku u 10-fishua ajo e zënies së hapësirës dhe u dyfishua taksa e pastrimit, ndërkohë që u vendos dhe një taksë e re, ajo e infrastrukturës arsimore. Ndonëse Bashkia u tërhoq për taksën e zënies së hapësirës, tarifat e tjera mbetën të larta.
Në muajin maj të po këtij viti, Shoqata e Tregtarëve çoi po në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Bashkisë së Tiranës për taksën e përkohshme të infrastrukturës në arsim. Kjo pasi taksa e arsimit filloi t’u tarifohet bizneseve për çdo NIPT sekondar, çka bëri që disa biznese si rrjete supermaketesh apo kompani tregtimi nafte të paguanin nga 50-80 mjë euro vetëm për këtë tarifë.