Nga Red VARAKU
Kush e ka ndjekur Jozefina Topallin apo kishte menduar se asaj i hante barku për PD apo për statutin e saj, tashmë nuk besoj që ka më dyshim se gjithçka që ajo ka bërë deri tani, ka qenë një armë në dorën e kryeministrit për të vrarë opozitën.
Me vendimin për të krijuar një parti të re, ajo përmbylli një trajektore sulmi me helm përçarës mbi Partinë Demokratike në mënyrën më të shëmtuar të mundshme duke u kthyer në një patericë pa vlerë të rilindjes.
Pasi nuk la rast pa sulmuar kryetarin e PD, sa herë e urdhëronte Rama, me të njëjtat akuza, të njëjtat shpifje dhe të njëjtat genjeshtra si të rilindjes, me vendimin e saj për të sajuar një parti për hesap të rilindjes, ajo sot zbuloi se ka qenë “një vrasëse me pagesë “ kundër opozitës, e rekrutuar që në fillim nga rilindja.
Por edhe pse mendon se me këtë lëvizje Jozefina Topalli mund ta dëmtojë PD, në fakt ajo po i bën një nder të madh asaj dhe opozitës së bashkuar.
Kjo jo vetëm për faktin se me këtë lëvizje ajo do ta pastrojë PD nga figura të diskretituara, që deri tani e kanë sulmuar PD në petkun e atyre “që i qan shpirti për PD”, por edhe sepse dalja qartazi në të njëjtën llogore me rilindjen kundër PD, diskretiton çdo sulm të tyre kundër Lulzim Bashës dhe e bën johelmues mesazhin e tyre, mesazh që e ka helmuar jo pak opozitarizmin gjatë këtyre viteve. Gjithashtu, kjo qetëson dhe shumë naivë të cilët tek Jozefina shikonin “të përvuajturën” dhe viktimën, por që tani shikojnë tradhtaren, të pabesën, hipokriten.
Gjithsesi, sot duhet jemi te gjithë më të qetë! Tashmë kanë rënë të gjitha maskat dhe të gjithë i kanë të qarta arsyet e vërteta se pse ajo e ka sulmuar deri tani Partinë Demokratike dhe liderin e saj dhe kush e ka porositur atë të krijojë një parti të re.
Më në fund, nuk do të dëgjojmë më argumentin idiot se, “është Lulzim Basha që e mban Ramën në pushtet”, sepse tashmë është e qartë se kush ka pranuar të përdoret pabesisht nga Rama, kush e ka pasur paktin me të që në fillim dhe kush dëshiron që ai të vazhdojë të plaçkisë dhe dhunojë shqiptarët.
Sidoqoftë, ajo bëri shumë mirë që e shpalli hapur bashkëpunimin me Ramën dhe armiqësinë ndaj partisë së cilës ajo i mori gjithçka dhe nuk i ktheu kurrë asgjë.
Sepse, kjo nuk diskretiton vetëm atë si personazh i vogël provincial që nuk arriti të bëhej kurrë një personalitet me përmasa kombëtare, por diskretiton dhe “vrasësit ne pagesë”, përmes të cilëve ky kryeministër kërkon të vrasë shpresën e shqiptarëve për ndryshim.