Nuk mund të rendësh me gjoba pas qytetarëve dhe të organizosh “festivalin e qofteve” në mes të Tiranës, reagimi i fortë i ekspertit

Në një lidhje me Skype nga Gjermania për RTV Ora, eksperti i shëndetit publik Erion Dasho komentoi situatën me Covid-19 në vendin tonë.

Sipas mjekut, shtretërit në dy spitalet Covid janë ezauruar, ndërsa shtoi se shtimi i shtretërve nuk është zgjidhja për situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Nga informacionet që kam unë, nga kolegët që punojnë në Shqipëri, kapaciteti i spitaleve Covid, 1 dhe 2, tashmë është ezauruar. Pra, nuk ka më vend për pacientë të rinj. Në këtë mënyrë është e detyrueshme hapja e spitaleve të tjera.

Por fatkeqësisht kjo është një masë e përkohshme, një masë që nuk e zgjidh problemin. Sepse nëse numrat do të vazhdojnë të rriten me këto ritme, nëse shërbimi ndaj pacientëve nuk do të ofrohet sipas protokolleve prurjet do të jenë më të shpejta se sa mundësia për të krijuar shtretër të rinj”, tha eksperti.

Dasho foli edhe për absurditetet që ndodhin në vendin tonë. Teksa qeveria detyron maskën në rrugë, bashkia e Tiranës ka hapur festivalin e qofteve, siç e quan ai.

“Kjo është pakuptim. Më vjen mirë që e sillni në vëmendje të publikut këtë skandal që ka ndodhur. Nuk mundet që ne të zbatojmë një masë me aq rreptësi, sa është mbajtja e maskës në publik, të rendim pas gjobave, të rendim me policë dhe me inspektorë sanitarë pas qytetarëve që nuk mbajnë maskë dhe paralelisht të organizosh festivalin agro-kulturor në mes të Tiranës apo festën në Mokër“, u shpreh ndër të tjera Erion Dasho.

 

Artikulli paraprak11 pyetje Endrit të Ramës dhe një sqarim gazetarëve për të “çmendurën E”
Artikulli tjetërPa asnjë bilanc në punë publike, Rama ka filluar të na furnizojë me filma nga Kinostudio “Shqipëria e Rilindur”