Interi në kërkim të një mbrojtësi në janar

Interi nis të mendojë për mbrojtjen. Sezoni i ri i kampionatit italian ka filluar me ulje dhe ngritje për klubin zikaltër. Problematika më e madhe shihet në repartin e prapavijës. Krahët e mbrojtjes nuk ofrojnë siguri. Performancat e Santos, Nagatomos apo dhe D’Ambrosios nuk e kanë bindur trajnerin Frank de Boer dhe nisur nga kjo holandezi i ka kërkuar drejtorit sportiv të klubit zikaltër Piero Ausilio të transferojë një emër të njohur që mund të plotësojë boshllëqet në skuadër.
Kandidatët nuk mungojnë. I pari në listë është mbrojtësi i Man.United, Matteo Darmian, i cili momentalisht duket se nuk po gjen hapësira në radhët e “Djajve të Kuq”. Huazimi me të drejtë blerjeje është formula që do t’i propozohet klubit anglez. Një tjetër alternativë është Stephan Lichstenier i Juventusit. Zvicerani nuk e ka pritur mirë lënien jashtë listës së Champions League. Madje, disa ditë më parë vetë mbrojtësi u shpreh i pakënaqur për situatën që po kalon tek kampionët e Italisë.
Në janar në dyert e bardhezinjve do të paraqitet një ofertë prej 10 milionë eurosh. Një tjetër kandidaturë është edhe Aleix Vidal, i Barcelonës. Marrëdhënia mes spanjollit dhe trajnerit të blaugranave, Luis Enrique ka pësuar krisje. Nisur nga kjo, largimi i tij gjatë merkatos dimërore duket i pashmangshëm. Trajneri De Boer shpreson shumë që njëri prej tyre të transferohet te Interi, në mënyrë që mbrojtja e cila fut ujë nga të gjitha anët, të rimarrë disi veten.

Artikulli paraprakRei Manaj ka kurajë luani
Artikulli tjetërThiago Silva mund të kthehet te Milani