Apeli i komisionerit të BE për Kodin Zgjedhor/ Zëri i Amerikës: Shqetësues reagimi i Ramës

Në Tiranë, qarqet politike iu khtyen polemikave për reformën zgjedhore. Presidenti Meta i kërkoi një Opinion Urgjent Komisionit të Venecias për ndryshimet që parlamenti i bëri Kodit Zgjedhor.

Komisioneri Europian për Zgjerimin Varheli, bëri thirrje që parlamenti të presë këshillat e Komisionit të Venecias para se të rivotojë Kodin Zgjedhor.

Vëzhgues të jetës politike pohojnë se shumica socialiste po përcjell me arrogancë çdo kritikë të faktorëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, duke e shtyrë vendin drejt një përplasje të re politike.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu në parlament ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ndërsa sot publikoi kërkesën për një Opinion Urgjent Komisionit të Venecias, nisur javën e shkuar.

Zoti Meta tha se ndryshimet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ishin të njëanshme dhe të përshpejtuara, nga një parlament i kontestuar, ndaj iu drejtua Komisionit të Venecias me një seri prej 8 pyetjesh, ku kërkon një rrugëdalje për të shmangur, siç shprehet ai, një krizë të re zgjedhore dhe politike.

“Është bërë një punë shumë e përgjegjshme si nga stafi i presidentit edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, të shqetësuar për shkeljen brutale të marrëveshjes së 5 qershorit. Megjithatë secili mban përgjegjësi për aktet dhe vendimet e veta. Aktet dhe vendimet e presidentit të Republikës janë si përherë transparente dhe në interes të gjithë popullit shqiptar, stabilitetit politik në vend, të ardhmes europiane të Shqipërisë” – tha zoti Meta.

I menjëhershëm ishte reagimi i komisionerit europian për zgjerimin, Oliver Varheli, i cili sapo u mbyll konferenca e presidentit, shkroi në mesazhin e tij përmes rrjeteve sociale, se “Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut”.

Ai shtoi se po priste zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021” dhe se “Parlamenti shqiptar duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit për të marrë parasysh këtë këshillë nga Komisioni i Venecias”.

Reagimin e Komisionerit Europian për Zgjerimin, e mirëpriti Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i tha se ndryshimet e njënashme të Kodit Zgjedhor ishin një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u integruar në BE dhe për të mbajtur zgjedhje të lira e drejta.

“Përshëndes deklaratën e Komisionerit për Zgjerim. Rishpreh shqetësimin e thellë të Bashkimit Europian dhe të partnerëve tanë, për shkatërrimin e klimës parazgjedhore dhe përpjekjen e EdiRamës, për të manipuluar sistemin para zgjedhjeve të ardhshme. Mbështes këtë apel të komisionerit Varhelyi, në emër të Bashkimit Europian. Dhe shpresoj që Komisioni i Venecias, të ndërhyjë për të treguar fare qartë atë që ne demonstruam gjatë gjithë këtyre muajve në tryezën e Këshillit Politik, se ne ishim të përkushtuar për standarde zgjedhore dhe se Edi Rama ka një tmerr të papërshkrueshëm nga procesi i ardhshëm zgjedhor, e për këtë arsye ka shkelur dhe ka dhunuar standardet minimale zgjedhore që Europa i konsideron të domosdoshme, për zgjedhje demokratike” – tha zoti Basha.

Ndërsa kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale se “Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti. Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë”.

Analistë të jetës politike në vend po ndjekin me shqetësim këto zhvillime dhe mbajnë shpresa të vakëta se mund të gjendet mirëkuptimi. Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se kthimi në parlament për ridiskutim i Kodit Zgjedhor nga Presidenti meta ëhstë një shans i mirë që palët politike të gjejnë mjete dhe rrugë të përbashkëta për të arritur një reform sa më konsensuale, si e kërkuan BE dhe OSBE-ja.

“Maxhoranca shqiptare vuan nga sëmundja e njëjtë e gjithë maxhorancave në fund të mandatit të dytë: nevoja për të ruajtur patjetër pushtetin dhe për të fituar sa më shumë privilegje elektorale në garën e ardhshme zgjedhore përmes ligjeve dhe mjeteve të tjera që ofron pushteti. Maxhoranca aktuale ka një ndjenjë të dukshme arrogance ndaj faktorit ndërkombëtar, ndaj kritikave të brendshme, ndaj institucioneve, duke e shtyrë vendin gati gati drejt një përplasjeje të re politike” – thotë zoti Krasniqi.

Zoti Krasniqi shtoi se shoqëria shqiptare ka nevojë të dëgjojë dialog dhe debat mbi zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë, dhe jo për akuza recirpoke, denigrime dhe kërcënime personash,

Nëse vazhdohet kështu, shtoi ai, zgjedhjet e ardhshme do të jenë sërish një shans i humbur për shkak të pamundësisë së klasës politike për t’u maturuar dhe për të mësuar nga gabimet e të kaluarës.

Zoti Krasniqi thotë se institucionet kryesore të Shqipërisë po humbin integritetin dhe rolin e tyre ligjor në këtë betejë parazgjedhore, duke rënë peng i axhendave personale të drejtuesve të tyre.

“Në këto rrethana nuk pritet që parlamenti të reflektojë, për sa kohë që brenda maxhorancës nuk ka asnjë zë kundër. Gjithë deputetët dhe figurat liberale politike në kët parti janë duke u munduar të siguruar mandat të ri parlamentar në një garë të brendshme. Për sa kohë nuk ka një debat publik dhe një reflektim në lidhje me kriteret e përcaktuara nga Bundestagu dhe nga bashkimi Europian në raport me Shqipërinë, në këto kushte pritet që jeta politike në Shqipëri të agravohet dhe ne të shkojmë në fushatën e ardhshme zgjedhore në një klimë krejt tjetër nga ajo që ka nevojë vërtet Shqipëria” – tha zoti Krasniqi.

Parlamenti me shumicë socialiste, i bojkotuar nga opozita, votoi në fund të korrikut ndryshime të Kodit Zgjedhor, që kërkojnë koalicione të bashkuara në një listë kandidatësh dhe lista pjesërisht të hapura.

Këto ndryshime nuk u dakordësuan në Këshillin Politik, një tryezë ku shumica dhe opozita ishin ulur për të përgatitur reformën zgjedhore me mirëkuptim. Prishja e saj i dha një shtytje të mëtejshme krizës politike në Shqipëri.

Artikulli paraprakSPAK pushon hetimet ndaj 4 gjyqtarëve që kërkuan heqjen e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin
Artikulli tjetërVrasja në Fier/ Alibeaj: Krimi mbretëron i pashqetësuar, një shoqëri të tërë të ngelur në pasiguri e në frikë